Filarmonia e Kosovës me turne në Angli

Kultura May 02, 2018 - 15:26

Si rrallë herë Filarmonia e Kosovës do të prezantohet para publikut ndërkombëtar. Në një konferencë për media të mërkurën u bë e ditur se Kori i Filarmonisë së Kosovës do të mbaj një turne para publikut në Britani të Madhe. Më 6 maj ata do të jenë në qytetin e Hastings kurse më 7 maj në Londër, shkruan zeri.info.

Baki Jashari, drejtor i Filarmonisë së Kosovës, tregoj para gazetarëve se Kori i Filarmonisë do të ketë tri paraqitje përpara publikut në Angli nga të cilat dy në qytetin Hastings dhe një në kryeqytetin britanik, Londër. Ai e konsideroi këtë projekt si tepër të rëndësishëm për institucionin që drejton dhe tha se janë të përgatitur për prezantime të tilla.

“Ky projekt është i veçantë për Filarmoninë e Kosovës. Rrallë ka ndodhur që nga themelimi i Filarmonisë që ky institucion të lëviz shpesh jashtë Kosovës. Dihet që ne jemi një institucion me dy njësi, Orkestrën Simfonike dhe Korin. Kur dalim në skenë shpesh jemi mbi 100 persona. Kësaj radhe bëhet fjalë për një turne të Korit të Filarmonisë me tri prezantime, dy në qytetin Hastings dhe një në Londër. Ky projekt është iniciuar që nga viti i kaluar me iniciativën e dirigjentit brazilian i cili jeton dhe vepron në Britani të Madhe, Marcio Da Silva, i cili disa herë ka koncertuar me korin dhe orkestrën e Filarmonisë. Ai ka bërë një ftesë nga Filarmonia e Hastings-it, të cilën e drejton, për Korin e Filarmonisë së Kosovës që do të jetë pjesë e koncertit të përbashkët më korin dhe orkestrën e tyre në realizimin e një vepre madhështore vokalo-instrumentale të kompozitorit GiuseppeVerdi sic është vepra ‘Requiem’”, tregoi Jashari.

Për më shumë lexoni në numrin e nesërm të gazetës “Zëri”.