Osipova sjell në Prishtinë “Carmen”-in e lirisë

Kultura April 05, 2018 - 09:47

Nën udhëheqjen e ruses Natalia Osipova, e cila e ka përgatitur koreografinë, skenografinë dhe kostumet e shfaqjes “Carmen”, Baleti Kombëtar i Kosovës prezanton sonte premierën e dytë për vitin 2018, shkruan sot gazeta "Zëri".

Shfaqja “Carmen”, e cila prezantohet për herë të parë para publikut këtë të enjte, me fillim nga ora 20:00, nuk është bashkëpunimi i parë i koreografes Osipova me balerinët kosovarë. Pas shfaqjes “Vajza e braktisur”, të cilën e realizuan bashkë vitin e kaluar, Osipova pranoi ftesën e Baletit Kombëtar të Kosovës për një bashkëpunim të dytë.

“S’mund ta besoni çfarë kënaqësie është të jem këtu me gjithë juve. Sa herë që vij do të më rritet dëshira të punoj me ju dhe t'ju njoh më mirë. E falënderoj gjithë ekipin artistik, teknikën, kostumografët dhe personalisht Nikin dhe Jetën, të cilët ishin asistentët e shfaqjes dhe bënë një punë të shkëlqyer. E falënderoj drejtorin Ahmet Brahimaj, i cili më besoi dhe më ftoi për herën e dytë me radhë”, tha koreografja Osipova, në konferencën për media që i parapriu premierës.

Me këtë shfaqje ajo ka synuar të kapërcejë vijat klasike të baletit të famshëm “Carmen” dhe përveç temës së dashurisë që e gjejmë te kjo shfaqje, ajo ka ndërfutur edhe temën e lirisë, të cilën thotë se e ka bazuar edhe në historinë e popullit të Kosovës.

“Besoj që shfaqja do t'ju pëlqej, sepse për mua tema e shfaqjes nuk është thjeshtë tema e dashurisë që e gjejmë te ‘Carmeni’, por unë kam vendosur shumë ndjenja të lirisë, që përket me situatën e popullit tuaj dhe prek jetën e secilit prej nesh. Tregon se ne nuk jemi të mbyllur në kafaze edhe pse rekuizitat e kësaj shfaqje janë kafazet, të cilët përfaqësojnë burgun e jetës që jemi duke e jetuar. Sa më shumë që po e njoh popullin e Kosovës aq më shumë po i jap dashuri dhe dua që ju të jeni më të lirë, edhe pse jeni të pavarur. Për mua është e rëndësishme që e keni bërë këtë punë dhe është më e rëndësishme që populli të jetë i lirë. Pra kjo shfaqje nuk është thjesht për dashurinë, por edhe për lirin. Në jetën e secilit është fati ai që na udhëheqë, por duhet të luftojmë me fatin që e kemi dhe ta gjejmë dashurinë dhe lirinë tonë”, theksoi Natalia duke shtuar se bashkëpunimi i dytë i ka shërbyer si mundësi që të shpreh gjithë përshtypjet që ka marrë ajo për balerinët dhe Kosovën nga shfaqja e parë.

“Krejt këtë e kam parë si ide vitin e kaluar, kur kam punuar shfaqjen ‘Vajza e braktisur’. Menjëherë e kam kuptuar çfarë keni në zemrat tuaja dhe kam pritur ta kem këtë shans që të tregojë përmes shfaqjes se çfarë ndjej për ju. Shfaqja ju prezanton ju”, përfundoi Osipova.

Në anën tjetër Ahmet Brahimaj, drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, falënderoi koreografen Osipova për bashkëpunimin dhe durimin, meqë këto ditë Teatri Kombëtar i Kosovës u përball me disa probleme me kanalizim në podrumin e këtij objekti, aty ku edhe mbahen ushtrimet e baletit dhe rrjedhimisht puna e tyre u vështirësua.

“Kjo është premiera e dytë për këtë gjashtëmujor, e cila është planifikuar tash e sa kohë. Ne e kemi pasur njëherë një shfaqje ‘Carmen’, por kjo ndryshon prej asaj, sepse është pak më moderne. Koreografja Osipova ka bërë një punë të shkëlqyeshme. Duhet t’i falënderohem edhe Trupës së Baletit, të cilët për 25 ditë pa pushim kanë punuar në kushte të vështira. Ne këtu kemi probleme të llojllojshme, por kësaj here na ndodhi një avari me kanalizim, kështu që edhe ajrin e kemi pasur të papërshtatshëm. Njëkohësisht ngrohësja qendrore nuk punon, por ne nuk kishim kohë të ndalemi dhe e përgatitëm shfaqjen”, tha Brahimaj.

Reprizën kjo shfaqje do ta ketë menjëherë ditën e nesërme pas premierës (e premte, 6 prill). Si asistentë koreografes Osipova i ndihmuan balerinët Jeta Musolli dhe Kreshnik Musolli, kurse muzika e shfaqjes “Carmen” është nga Georges Bizet.

Premiera e parë që Baleti Kombëtar i Kosovës dha për vitin 2018 ishte shfaqja “Pa mure”, me koreografi të Teuta Krasniqit, prezantimi i së cilës përkoi edhe me 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. E veçanta e kësaj shfaqje ishte edhe se për herë të parë Trupa Kombëtare e Baletit të Kosovës prezantoi një shfaqje, koreografinë e së cilës e punoi një balerinë e kësaj trupe. Zëri