Gratë “Sikur Hana” në Muzeun e Kosovës

Kultura April 04, 2018 - 10:50

Për pesë ditë më radhë Muzeu i Kosovës do të hapë dyert për një ekspozitë krejtësisht të veçantë. Bëhet fjalë për ekspozitën e titulluar “Sikur Hana”, e cila vjen e ideuar nga dy artistë të ri.

Zgjim Zyba dhe Dia Morina janë bërë bashkë për të treguar historinë e njërës nga paraardhëset e tyre, lokes Hana. Përmes historisë së Hanës ata po mëtojnë të rrëfejnë jetën e shumë grave shqiptare dhe peripecitë të cilave ato u kanë dal përballë. Kjo ekspozitë pra sjellë historinë e njërës nga gratë e shumta në Kosovë, që për shkak të rrethanave kulturore kaluan sfida të ndryshme në jetë.

Për gazetën “Zëri” Zgjim Zyba, njëri nga ideatorët e ekspozitës “Sikur Hana” thotë se synimi i kësaj ekspozite është të vihet në pah ajo që ndër vite ka mbetur e padukshme.

Ai edhe Dia Morina kanë bërë bashkë frymëzimet e tyre artistike për të rrëfyer jetën e gruaje me të cilin janë të lidhur edhe emocionalisht.

“Historia ka treguar që gratë shqiptare kanë qenë shtyllë e shtëpisë edhe pse kjo nuk ka qenë shumë e dukshme. E ajo çka ne e kemi fokus në këtë ekspozitë është që ta vëmë në pah atë të padukshmen. Këtë do ta bëjmë përmes historisë së lokes Hane, e cila është vetëm njëra nga shumë këto gra”, thotë Zyba.

Sipas tij, është e rëndësishme të flitet për këto gra që nuk u dorëzuan asnjëherë duke u kthyer në heroina dhe modele që duhet ndjekur.  Kjo antropologji vizuele vjen nëpërmes fotografive të ekspozuara për publikun në mënyrë që edhe publiku të bashkëndjejë historinë e lokes Hanë mbi të cilën mbështetet kjo ekspozitë.

Kjo ekspozitë është antropologji vizuale dhe artistike e cila do të paraqitet në dy mediume; fotografi dhe audio - instalacion. Organizatorët theksojnë se përveç anës vizuale që do të paraqitet përmes fotografive do të jetë edhe një audio, përmes të cilës rrëfehet një histori e lokes Hanë, të cilën e tregon mbesa e saj, e cila është 84 vjeçare.

Përveç se janë të interesuar të tregojnë të përbashkëtat e historive jetësore të grave shqiptare, artistët Zyba dhe Morina përmes kësaj ekspozite sjellin edhe një rrëfim familjar. Kjo pasi që, siç e thamë, lokja Hana, personazhi kryesor mbi të cilin bazohet kjo ekspozitë, është familjare e tyre.

“Mua edhe Dian na lidhë lokja Hanë, pasi që prindërit tanë (babai im dhe nëna e Dias) janë pasardhësit e saj. Bashkëpunimi ka qene i rastësishëm, pasi unë i kam treguar asaj disa ide që kisha planifikuar dhe Dia ka menduar që ishin të përafërta me ato çka ajo kishte koncept, që në këtë rast është ana antropologjike e ekspozitës. Personaliteti i lokes Hanë ishte ajo që na solli deri te ideja përfundimtare”, shpjegon Zyba.

Sipas ideatorëve, përmes kësaj ekspozite na jepet mundësia të hyjmë nën të dukshmen e gruas dhe të marrim kuptimin e thellë të saj, të fshehtën që ne duam ta shohim. Të përzgjedhësh rrugën dhe të ndjekësh atë kërkon guxim. Lokes Hanë dhe plot grave tjera nuk u ka munguar aspak guximi.

Ekspozita “Sikur Hana” do të hapet këtë të mërkurë (4 prill), me fillim nga ora 19:30 në ambientet e Muzeut të Kosovës.

“Ekspozita do te hapet në Muzeun e Kosovës. Muzeu përpos që na e ka siguruar hapësirën ekspozuese ata si ekip edhe kanë tregu një  gatishmëri për një bashkëpunim shumë të mirë”, tregon Zgjimi.

Dëshmi për këtë është edhe fakti se ekspozitën “Sikur Hana”, e cila është edhe e digjitalizuar, menaxhmenti i Muzeut të Kosovës, në krye me drejtorin Skënder Boshtrakaj, kanë vendosur ta bëjnë pjesë të ekspozitës bazë të Muzeut të Kosovës.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për publikun e interesuar për pesë ditë me radhë, deri më 8 prill. Për shkak të efektit që e ka ndriçimi, kjo ekspozitë preferohet të vizitohet gjatë mbrëmjes.