Zharku synon anëtarësimin e QKK-së në Eurimages

Zharku synon anëtarësimin e QKK-së në Eurimages

Kultura mars 13, 2018 - 09:56
Flet për ''Zërin'' Arben Zharku

Pas katër vitesh, për sa udhëhoqi me Qendrën Kinematografike të Kosovës, brenda pak ditësh, Arben Zharku do të nis zyrtarisht edhe mandatin e dytë në krye të këtij institucioni, që është një nga institucionet më të rëndësishme kulturore në vend.

Në një intervistë për gazetën “Zëri” ai tregon se gjatë këtij mandati, bashkë me ekipin e tij, synojnë të jenë më shumë prezent në festivale të kategorisë “A” anë e mbanë botës dhe të lobojnë për anëtarësimin e Kosovës në Eurimages.

Sapo jeni rizgjedhur në krye të QKK-së, si ka nisur mandati i dytë?

Jam shumë i nderuar që jam përzgjedhur për mandatin e dytë, i cili do të fillojë nga mesi i muajit mars. Gjatë këtij mandati do të angazhohem sistematikisht në futjen në funksion të Rregullores për Lehtësirat Financiare, rregullore kjo që pritet t'i sjell industrisë shumë të mira, si dhe në rregulloret tjera që planifikohen të implementohen në mandatin e dytë, pa lënë anash edhe punimet e vazhdueshme për të arritur anëtarësimet e reja në fonde rajonale e evropiane, të cilat janë shumë të rëndësishme si për institucionin ashtu edhe për industrinë tonë.  Padyshim edhe punët e tjera me të cilat angazhohemi tash sa vite, e që e para, në fillim të mandatit do të jetë përgatitja e prezantimit në tregun e madh të festivalit prestigjioz Cannes.

Cilat janë synimet që i keni vënë vetës përpara për këtë mandatë?

Për këtë mandat kam synime të shumta që besoj se do t’i realizojmë me sukses. Synojmë që të jemi edhe më shumë prezent në festivale të kategorisë “A” anë e mbanë botës, promovim më të gjerë të filmave në tregje të filmit e në festivale. të bëjmë adaptimin e legjislacionit të Kosovës me shtetet e Bashkimit Evropian, angazhimin për futjen në funksion të Rregullores për Lehtësirat Financiare, lobimin për anëtarësimin e Kosovës në Eurimages dhe në Media Program.
 
Sipas jush, cila do të jetë sfida më e madhe e QKK-së për këto katër vitet e ardhshme?

Natyrisht jemi të përgatitur për sfidat në të cilat mund të hasim. Ne besojmë që vitet në vijim, duke pasur parasysh fluksin e punëve, ndoshta një ndër sfidat më të mëdha mund të jetë anëtarësimi në fondin më të madh të bashkëprodhimit, në Eurimages. Megjithatë punët i kemi filluar dhe shpresojmë që në këtë mandat të arrijmë të anëtarësohemi në këtë fond.
 

A prisni që buxheti i QKK-së të rritet pas përfundimit të procesit të auditimit?

Besojmë që buxheti i QKK-së do të rritet pas rishikimit të tij në pjesën e dytë të vitit.
 

Sapo jeni kthyer nga festivali “Berlinale”, ku atje keni prezantuar edhe stendën e Kosovës. Si shkoi ky prezantim dhe sa është i rëndësishëm promovimi në festivale të tilla?

Promovimi në festivale të tilla dhe sidomos në tregje të filmit është qenësore për fondet e filmit, pasi që është mundësi e jashtëzakonshme të krijohen lidhjet mes fondeve ndërkombëtare dhe me përfaqësues të festivaleve, agjentëve të shitjes, distributorë, producentë ndërkombëtarë etj. Edhe këtë vit ka pasur shumë takime të rëndësishme e janë lidhur shumë kontakte për të cilat besoj do të dëgjoni më vonë.

A mund të presim që gjatë këtij viti, apo vitit tjetër, filmat e mbështetur nga QKK t’i shohim në festivale të mëdha?

Natyrisht, kjo është edhe një ndër synimet tona, prezantimi sa më i gjerë në festivale ndërkombëtare dhe duke pasur parasysh nivelin e lartë artistik të projekteve të cilat janë në zhvillim, besoj që shumë shpejt do të dëgjojmë për këta filma.
 
Katër vitet e fundit që sa ishit në krye të QKK-së, ishin vite të rëndësishme për kinematografinë kosovare, si e vlerësoni ju vetë mandatin e parë?

Gjatë këtyre 4 viteve kinematografia kosovare ka pasur suksese të mëdha, duke filluar me pranimin e Kosovës në Akademinë më të madhe të filmit OSCARS, ku vetëm pas dy viteve, filmi kosovar ‘Shok’ arriti të nominohet për filmin më të mirë të shkurtër në këtë Akademi. Ndërsa vitin e kaluar Kosova arriti të pranohet në rrjetin më të madh ballkanik South Eastern Europe Cinema Network.

Në këto katër vitet e fundit, janë nënshkruar dhjetëra marrëveshje për zhvillimin e industrisë së filmit dhe për filmbërësit kosovarë. Ndër to edhe marrëveshja me European Audiovisual Entrepreneurs EAVE, shkollën e filmit FAMU, me GjirafaVideo, me Fakultetin e Arteve, me Kinemanë ABC, me punëtoritë dhe forumet e jashtme si: Les Arcs, Rotterdam Lab, When East Meets West etj.

Viteve të fundit është rritur bindshëm prezenca e filmit kosovar në botë, duke marr pjesë në shumë festivale dhe duke sjellë shumë çmime, ndërsa vetëm vitin që lamë pas, filmat kosovarë kanë pasur premierën në pesë festivale të kategorisë “A” dhe kësisoj po ngritin nivelin e filmbërjes, duke sjellë standarde të reja, të cilat mund të krahasohen me vendet evropiane.