Besëlidhja sipas traditave arbërore

Kultura March 03, 2018 - 13:14
Shkruan: Jahja Drançolli

Më 2 mars 1444, 574 vjet më parë, mbahet Kuvendi i Lezhës, një përpjekje për themelimin e shtetit tonë të njësuar! Historiografia jonë e udhëhequr deri vonë nga politika ditore, nuk e ka trajtuar sa duhet çështjen e historisë së trojeve shqiptare, të cilat sot gjenden jashtë kufirit politik të Shqipërisë.

Në këtë aspekt edhe Kuvendi i Lezhës, për shkaqe të porosive të veta nuk u trajtua si çështje e veçantë historike.

Ajo që tërheqë më tepër vëmendjen këtu, janë tendencat më të theksuara për integrime politiko-ushtarake e shtetërore brenda principatave arbërore, të cilat do të vijnë në shprehje pas kërcënimeve ushtarake të jashtme. Nga këndvështrimi historik, ato rifilluan rrugën e proceseve politike, ushtarake dhe fetare drejtë formimit të një shteti të njësuar arbëror, të cilin pushtimi osman dhe venedikas e kishte ndërprerë nga kapërcyelli i shek. XIV.

Pikënisja e rifillimit të këtij procesi ishin ngjarjet e vitit 1443, të cilat kulmuan më 28 nëntor 1443, ku në vitin 1444 si institucion shtetëror doli Lidhja Arbërore e Lezhës, e cila është themeluar më 2 mars 1444. Datën e saktë e ndeshim te G. Biemmi, një biograf italian i Skënderbeut. Kuvendi i Lezhës qe mbajtur brenda lokaleve të Shën Nikollit, kishë katedrale e qytetit. Qyteti në fjalë, dikur ishte kryeqendra e Dukagjinëve, por në kohën e Kuvendit ajo ishte nën Venedikun.

Po në këtë qendër, që prej antikitetit është zgjatur rruga e njohur që lidhte bregdetin me qendra të njohura të Dardanisë, të shtrira deri në Nishin e sotëm. Këtu, në shtratin e kulturës ilire më vonë do të puqën Lindja bizantine me Perëndimin romak. Përveç njoftimit të përmendur nga Biemi, për kuvendin në fjalë, ofrojnë njoftime edhe Marin Barleci, Dhimitër Frëngu, si dhe Gjon Muzaka, i cili ndryshe nga Barleci dhe Frëngu, ka lënë një njoftim të shkurtër. 

Kuvendi i Lezhës u mbajt mbi bazën e traditave më të hershme arbërore, për të trajtuar probleme madhore në kuvende të përbashkëta. Në këtë aspekt edhe kuvendi në fjalë, i inicuar nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, shënonte një nivel drejt ngritjes kombëtare. Sipas Marin Barlecit, bashkëkohës dhe historian i Skënderbeut, morën pjesë shumë princër nga pjesë të ndryshme të Arbërisë, si, Pal dhe Nikollë Dukagjini, nga Dukagjini; Lekë Zaharia, kryezot i Zadrimës së Epërme, Pjetër Spani i Shalës së Shoshit; Lekë Dushmani, bashkë me Pjetrin e Zadrimës; Gjergj Stres-Balsha i Misjes, ndërmjet Krujës dhe Lezhës; Andrea Topia i Skurës, ndërmjet Tiranës dhe Durrësit, bashkë me dy bijtë, Komninin e Muzakën dhe me nipin Tanushin; Gjergj Aranit Topia Komneni i Kaninës dhe i Shpatës; Teodor Korona Muzaka i Beratit, nga Arbëria Jugore. Shtjefën Çërnojeviqi (Gojçini), bashkë me të bijtë Gjergjin dhe Janin nga Zhabjaku i Malit të Zi; kryezoti i Himarës, si dhe krerë të tjerë nga Arbëria e Veriut dhe e Jugut. Në anën tjetër edhe pse kishte premtuar, përfaqësuesi i Republikës së Raguzës, nuk u pa në Kuvend. Nuk u pa as përfaqësuesi i Republikës së Venedikut. Madje, kjo Republikë, duke qenë në paqe me sulltanin, duke mos dashur t’i prishte marrëdhëniet me të, nuk iu dha asnjë premtim princërve arbër. 
Pas diskutimeve të shumta, Kuvendi i Lezhës mori një sërë vendimesh të rëndësishme, të cilat përcaktuan edhe natyrën juridike të këtij organi.

Me gjithë diversitetet që vinin si shprehje e interesave të ngushta, princat pjesëmarrës në Kuvend u shprehën për bashkimin e tyre në luftë kundër pushtimit osman, një çështje për çka njoftojnë shumë burime të kohës në të cilat theksohet, që Skënderbeu kishte propozuar ngritjen e një aleance ose të besëlidhjes së përhershme në mes të princërve arbër. Në Kuvend u vendos të formohej bashkimi i forcave, duke krijuar një lidhje midis sundimtarëve arbër, të cilët pranuan të heqin dorë nga partikularizmi i mbjell me kohë dhe të formonin, sipas traditave të lashta arbërore, një Besëlidhje, një lloj federate për të luftuar së bashku kundër sunduesit të huaj deri në çlirimin e plotë të vendit, me një kryetar të vetëm. Kryetar i saj u zgjodh promotori i Kuvendit të Lezhës, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu.