Kosova dhe Enver Hoxha në këndvështrimin e Esat Myftarit

Kosova dhe Enver Hoxha në këndvështrimin e Esat Myftarit

Kultura shkurt 20, 2018 - 10:28

Kosovar Basha

Në momentin kur shkeli për herë të parë si diplomat në Ministrinë e Punëve të Jashtme  të Shqipërisë, në vitin 1992, autori Esat Myftari, pati rastin të prekë për herë të parë relacionet e Shqipërisë me Kosovën në vitet 1968 – 1981, përmes dokumenteve arkivore të deklasifikuara. Edhe synimi kryesor i vetë autorit është të paraqes në mënyrë të hollësishme qëndrimin e Shqipërisë ndaj Kosovës gjatë periudhës në fjalë, në fushën diplomatike si dhe kulturore. Libri është fryt i punës shumëvjeçare në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku dokumentet arkivore janë vjel me shumë kujdes. Autori me shumë koncizitet u bënë interpetime të shumta ngjarjeve dhe personaliteteve nga dy anët e kufirit. Diplomacia shqiptare nga viti 1966 filloi në mënyrë më intensive ta vrojtojë situatën politike në Kosovë. Kjo kohë përkon me periudhën e largimit nga pushteti të Aleksandër Rankoviçit. Të bëmat e regjimit rankoviçian u ndoqën me shumë kujdes nga Shqipëria. Por, intensiteti i ngjarjeve pas diskutimeve publike për ngritjen e statusit të Kosovës në Republikë gjatë vitit 1968, shtetin shqiptar e nxiti të rrisë tempin e politikës ndaj Kosovës.

Fjalimet e kryetarit të Komisionit, Fadil Hoxha, pastaj juristëve, si: Gazmend Zajmi, Syrja Pupovci, Rrezak Shala e Ramadan Vraniqi, ngjallën shpresa të mëdha në popull për kërkesën e Republikës në kuadër të RSFJ-së. Pas dështimit të idesë për Republikën e Kosovës, autori nxjerrë interpretime të ndryshme lidhur me qëndrimet e shtetit shqiptar, konkretisht të Enver Hoxhës. Sipas autorit Shqipëria ishte e gatshme të kishte vetëm një shtet shqiptar në Ballkan. Në Prishtinë, gjatë muajit maj të vitit 1968, u mbajt evenimenti kryesor që i bashkoi shqiptarët. Simpoziumi për 500-vjetorin e Skënderbeut, një solemnitet shkencor e kulturor u shndërrua në festë kombëtare. Shqipëria në këtë aktivitet shkencor nuk dërgoi asnjë mision diplomatik, por vetëm pedagogë universitarë dhe shkencëtarë të shquar. Nga delegacioni shqiptar në këtë solemnitet morën pjesë: prof. Aleks Buda, prof. Bujar Hoxha, prof. Mediha Shuteriqi etj. Dokumentet arkivore, shpalosin pikëpamjet e delegacionit shqiptar për shumë figura të ndryshme të Kosovës, si Fadil Hoxha, pastaj shkencëtarëve si prof. Ali Hadri, prof. Idriz Ajeti etj. Në takimet bilaterale ndërmjet shkencëtarëve që u zhvilluan në Prishtinë, shihet qartë mesazhi i delegacionit shqptar i cili kishte kujdes të mos binte pre e bisedave politike nga ana e kosovarëve. Pak muaj më vonë, në nëntor, shpërthyen Demonstrtat e vitit 1968, ku Kosova u vëzhgua nga shumë eksponentë të Sigurimit të shtetit shqiptar të dërguar enkas që të shihnin rezultatet e këtyre demonstratave.

Në rrugë diplomatike, Shqipëria doli me udhëzim kontradiktor për ambasadat shqiptare. Autori zbulon letrën e ministrit të Jashtëm, Nesti Nase, ku thuhet: “Interesi i Shqipërisë është që situata mos të ashpërsohet”. Themelimi i Universitetit të Prishtinës, në vitin 1970, i rriti zhvillimet brenda marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Shumë protokolle mësimore dhe shkencore të nënshkruara ndërmjet dy universiteteve, patën efekte tejet pozitive. Në këtë libër, autori trajton edhe elemente të rëndësishme të kontakteve ndërmjet studiuesve të Shqipërisë dhe Kosovës, veçanërisht pedagogëve eminentë nga të dy vendet, si: Dervish Rozhaja, Musa Haxhiu, Fehmi Agani, Rexhep Qosja etj., si dhe Eqrem Çabej, Aleks Buda, Kolë Popa, etj.  Autori Myftari, paraqet takimet e Fadil Hoxhës me të ngarkuarin e Shqipërisë në Beograd, Lik Sehiti, me të cilin bisedojnë për shumë çështje të rëndësishme politike. Enver Hoxha përmes të ngarkuarit shqiptar në Beograd, donte të dinte mendimet e Fadilit lidhur me zhvillimet politike në Kosovë dhe qëndrimin e tij ndaj Shqipërisë. Në dritën e burimeve arkivore ndriçohet periudha e zhvillimeve politike në Kosovës pas vdekjes së Titos, ku Tirana zyrtare në masë të madhe e vëzhgoi situatën politike. Kjo fazë përkon edhe me Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, ku Enver Hoxha mbajti anën e demonstruesve dhe doli hapur me fjalimet e tij, që Kosova duhet të ishte Republikë në kuadër të Jugosllavisë.

Pjesë tejet interesante në libër gjejmë edhe për figurën e Jusuf Gërvallës. Jusuf Gërvalla figurë emblematike e ilegales kosovare shfaqet në dokumentet e MPJ-së në vitin 1978. Menëjherë pas formimit të grupit ilegal, Jusufi me shokë paraqitet në Ambasadën shqiptare në Sofie, ku e njoftojnë Ambasadën që duhej t’i jepej sinjal Enver Hoxhës për veprimet e organizatës. Idealet e Jusuf Gërvallës për Shqipërinë do ta shtynin atë t’i dërgonte dy letra Enver Hoxhës. Në letrën e parë do të kërkonte strehim në Shqipëri për shkak të ndjekjes së vazhdueshme nga organet e UDB-së në Kosovë dhe Gjermani. Letra e dytë kishte sinjale më të forta për realizimin e aspiratave shekullore e të drejta, për bashkimin e tokave dhe të popullit shqiptar. Organizata e Jusufit, LNÇLVSHK mbante korrespodencë me Sabri Novoselën në Stamboll, ku ai ishte i afërt me Bujar Hoxhën, ambasadorin e Shqipërisë atje. Po ashtu, Kadri Zeka, si anëtar i organizatës, mbajti në Austri kontakte me Engjëll Kolanecin, ambasadorin shqiptar në Vjenë. Por, të gjitha lëvizjet e ideuara nga Jusufi me organizatën e tij nga shteti shqiptar, nuk u përkrahën në praktikë.

Sipas autorit Myftari, Shqipëria kishte një qëndrim tejet interesant për figurën kryesore të politikës në Kosovë gjatë një dhjetëvjeçari (1971 – 1981), Mahmut Bakallin. Tirana zyrtare Bakallin e cilësonte ndryshe nga udhëheqësit tjerë të Kosovës, ai konsiderohej si më inteligjent dhe më vizionar. Në të gjitha këto materiale, autori evidencon dokumentet interesante, ku Bakalli, përmes Bujar Hoxhës (ambasadorit shqiptar në Ankara) kishte dërguar mesazhe drejtuar Enver Hoxhës, se Shqipëria nuk duhej të bëjë politikë klasore, por politikë që t’i përgjigjej interesave kombëtare. Një kapitull tejet interesant dhe tërheqës, autori i veprës, i kushton pjesës së kulturës. Në kuadër të kësaj pjese trajtohet, çështja e shkrimtarëve kosovarë në raport me shkrimtarët e Shqipërisë. Në këtë kontekst, përmes dokumenteve arkivore, shihet qartë se Shqipëria përkrahu një pjesë të këtyre shkrimtarëve të cilët shkonin në pajtim me vijën e shtetit shqiptar, si; Rexhep Qosja, Agim Vinca etj., kurse një pjesë tjetër e kryesuar nga Ibrahim Rugova, Mensur Raifi etj., u cilësuan jo fortë të dëshiruar. Në pjesën e fundit të librit, trajtohet personaliteti i Rexhep Qosjës vështruar në optikën e shtetit shqiptar. Portretin e parë të Qosjes, për strukturat e shtetit shqiptar, e bëri Dhimiter Shuteriqi, shkrimtar i njohur nga Shqipëria. Në vitin 1970, pas kthimit nga Simpoziumi, me rastin e 70-vjetorit të vdekjes së poetit Naim Frashëri, mbajtur në Prishtinë, ndër të tjera ai e cilësoi Qosjën si “ndër njerëzit më me kulturë, që ka talent për kritikën letrare dhe punëtor të madh”.

Ndër pikat e ngjitjes së Qosjës me Shqipërinë, ishte mbrojtja e doktoratës së tij, në vitin 1971, ku mentor iu caktua prof. Androkli Kostallari, pedagog i Universitetit të Tiranës. Por, ngjarja që do ta bënte Qosjën përfundimisht të pazëvendësueshëm për politikën kulturore të Shqipërisë, do të ishte viti 1972, viti i Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Pra, personalitet i Rexhep Qosjës u respektua shumë në qarqet diplomatike dhe kulturore të Shqipërisë dhe kështu ishte njeriu kryesor nga Kosova që kishte ndikim atje. Libri i Esat Myftarit, paraqet një kontribut të vlefshëm për historiografinë tonë, sidomos për llojin e interpretimit të ngjarjeve dhe personaliteteve të kohës. Ky studim do të ishte më i plotë nëse do të përdoreshin edhe burimet arkivore të Sekretariatit Jugosllav për Punë të Jashtme të cilat gjinden në Arkivin e Jugosllavisë, fondin DASSIP.

Autori është Hulumtues i pavarur për shek. XX në Institutin e Historisë të Kosovës