Pavarësia e Kosovës festohet edhe me lexim librash

Pavarësia e Kosovës festohet edhe me lexim librash

Kultura shkurt 16, 2018 - 08:52

Ndryshe nga qytetet e tjera, përvjetori i dhjetë i Pavarësisë së Kosovës, në qytetin e Pejës do të festohet me një aktivitet të veçantë.

Atje organizata joqeveritare “cedX”, në ditën e Pavarësisë së Kosovës, do të organizojë orë leximi për të gjithë dashamirët e librit.

“Festo me libër, çliroje mendjen”, është slogani i kësaj ngjarjeje, që synon ta nxisë leximin duke ftuar të gjithë qytetarët që të bashkohen në këtë orë leximi.

Në njoftimin e kësaj organizate thuhet se librat na inkurajojnë dhe na frymëzojnë të punojmë më shumë, ndaj kanë zgjedhur këtë metodë për të festuar.

“Leximi është çelës i të mësuarit dhe përparimit. Janë librat ata që na inkurajojnë dhe na frymëzojnë të punojmë me më shumë shpresë dhe guxim”, shkruhet në njoftimin e “cedX”.

“Mund të vini me libra tuaj, ose mund t’ gjeni këtu, e kafet janë prej shtëpisë”, shkruhet tutje në njoftimin për këtë ngjarje.

Të gjitha ata që duan të jenë pjesë e kësaj ore të leximit, mund të shkojnë tek lokacioni i “cedX”, këtë të shtunë në ora 14:00.