Fytyrat e ndritshme të Kosovës

Kultura February 16, 2018 - 08:40

Duke qenë se vazhdimisht thuhet se kultura jep disa nga ambasadorët më të mirë, tani kur po mbushet dekada e parë e shtetit të Kosovës, nuk kemi si të mos besojmë në këtë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kjo na detyron që ta kthejmë kokën nga disa personalitete që në këtë dhjetëvjetësh na kanë bërë krenarë, përkatësisht na e kanë zbardhur fytyrën që të dukemi më mirë në sytë e të tjerëve. Natyrisht që përveç këtyre dhjetë emrave që po ua sjellim nëpërmjet kësaj liste, mund të mungojnë edhe kontribuues të tjerë të rëndësishëm të artit dhe të kulturës, por ne po sjellim disa nga ta që me veprimtarinë e tyre e kanë ngritur emrin e Kosovës në skena të mëdha.

Rita Ora

Nuk mund të flitet për përfaqësimin e shqiptarëve në skenën ndërkombëtare të muzikës pa folur për Rita Sahatçiu - Orën. E lindur në Prishtinë dhe e rritur në Londër të Britanisë së Madhe, karriera e Ritës pati shkëndijat e para pikërisht në kohën kur Kosova po konsolidohej si shtet, 2007-2008. Më pas karriera e saj pati një zhvillim të hovshëm si rezultat i një varg projektesh të suksesshme. Ora konsiderohet njëri nga ambasadorët me të zëshëm të shqiptarëve në botë, duke qenë se asnjëherë nuk harron ta përmend vendin nga vjen. Ajo edhe zyrtarisht është dekoruar nga ish-presidentja Jahjaga me titullin “Ambasadore e nderit”.

Blerta Zeqiri

Me pjesëmarrjen e saj me filmin “Kthimi” dhe me një çmim të fituar në festivalin e filmit “Sundance”, në SHBA, Blerta Zeqiri më 2012-ën vendosi një standard të ri për krijimet kinematografike që do të dilnin nga Kosova. “Kthimi” ishte filmi i parë kosovar, por edhe shqiptar, që mori pjesë në programin zyrtar të festivalit më të madh të filmit të pavarur në SHBA, “Sundance”. Si i tillë, ky sukses mbetet i veçantë në historinë e kinematografisë së Kosovës.

Arta Dobroshi

Kur përmendet emri i Arta Dobroshit duhet kujtuar se ajo është aktorja e parë kosovare që shkeli në tepihun e kuq të Festivalit të Kanës, atë të Berlinit “Berlinale” dhe në “Sundance Film Festival”. Dobroshi është gjithashtu e para që u nominua për një çmim të Akademisë Evropiane të Filmit. E veçantë është paraqitja e saj në filmin “Heshtja e Lornës”, rol që ia hapi shumë dyer.

Rona Nishliu

Njëri nga zërat më të fuqishëm të skenës muzikore në Kosovë është pa dyshim kantautorja Rona Nishliu. Përveç suksesit brenda vendeve shqipfolëse, Rona pati prezantimin ndërkombëtar kur përfaqësoi Shqipërinë në festivalin e këngës evropiane “Eurovizion”, në vitin 2012, në Baku të Azerbajxhanit. Duke u radhitur e 5-ta me këngën e saj “Sus”, Nishliu vazhdon të mbetet shqiptarja që ka arritur më së shumti sukses në historinë e këtij festivali qëkur Shqipëria merr pjesë.

Dua Lipa

Një tjetër emër i njohur ndërkombëtarisht nga Kosova u ngrit artistikisht në Britani të Madhe. Dua Lipa është kantautorja e re që aktualisht i prin listës së muzikantëve të rinj më me ndikim në Britani e në SHBA. Duke ardhur nga një familje muzikantësh, si e bija e një rokeri të njohur në Kosovë, Dukagjin Lipës, Dua reflekton pasionin për muzikë. Lipa po shijon hapat e parë të karrierës së saj, e cila duket mjaft premtuese.

Shkëlzen Doli

I rritur në Gjakovë të Kosovës, që nga viti 1995 Shkëlzen Doli ka luajtur me Orkestrën Filarmonike të Vjenës. Shkelëzën Doli mbetet i pashlyeshëm në kujtesën e publikut vjenezë me interpretimin e potpurive të muzikës shqiptare. I paharruar për shqiptarët mbetet interpretimi i “Bareshës” në koncertin e Filarmonisë së Vjenës nga mjeshtri i violinës, Doli.

Ramë Lahaj

I lindur në Istog të Kosovës, tenori Lahaj filloi karrierën artistike në moshën 21-vjeçare, pas studimeve akademike në Tiranë, ku mbaroi Akademinë e Arteve para 6 vjetësh. Ndërsa karrierën e mirëfilltë operistike e ka filluar në vitin 2011 në Operën Shtetërore të Hungarisë, në moshën 26-vjeçare. Karriera operistike e Lahajt ka pasur një rritje të vrullshme, ku ka kënduar në skena të mirënjohura evropiane dhe është nderuar me disa çmime si tenor.

Andi Bajgora & Lum Veseli

Kinematografia kosovare kaloi në tjetër nivel kur filmi i shkurtër “Shok”, bashkëprodhim mes Kosovës dhe Britanisë së Madhe, arriti të nominohet në akademinë “Oscars” për këtë çmim prestigjioz. Edhe pse ekipi i filmit nuk arriti ta sillte trofeun e parë “Oscar” në trojet shqipfolëse, vetëm nominimi përbën një sukses të jashtëzakonshëm të kinematografisë sonë. Pavarësisht gjithë ekipit realizues dhe kastit të filmit, po veçojmë emrat e dy aktorëve të rinj në rolet kryesore në këtë film, Andi Bajgora dhe Lum Veseli, si përfaqësues të brezit të ri të aktorëve që po e trasojnë rrugën e kinematografisë kosovare për vitet e ardhshme.

Era Istrefi

Depërtimi në skenën ndërkombëtare nga Kosova konsiderohet i vështirë e herë-herë i pamundur kur artisti zhvillon krijimtarinë e tij brenda vendit, por kështu nuk ishte edhe për Era Istrefin. Muzikantja arriti të depërtojë nga skena kosovare në skenën evropiane. Suksesin e madh e arriti me këngën “Bon -Bon”, përmes së cilës emri i Istrefit u dëgjua kudo.

Xhevdet Bajraj

Poeti dhe përkthyesi Xhevdet Bajraj, nga Rahoveci i Kosovës, që nga viti 1999 jeton në Mexico City, është njëri nga emrat e suksesshëm të Kosovës në botën e letrave. Bajraj prej 12 vjetësh punon si profesor në Akademinë e Krijimtarisë Letrare në Universidad Autónoma de la Ciudad de México (UACM), ku ligjëron lëndën e poezisë. Poezia e Bajrajt është përkthyer në disa gjuhë dhe është përfshirë nëpër antologji të ndryshme. Ai ka fituar disa çmime letrare. /Zëri/