Libër që markon hapësirën e shtrirjes së literaritetit

Kultura February 10, 2018 - 13:16

Isak Ahmeti

Njëri prej kritikëve më të dallueshëm në letrat shqipe, Ramadan Musliu pas botimit të librave: "Mbindërtimi poetik", "Konfiguracione narrative", "Estetikja e dallueshme", "Tangjenta letrare", tani nxori në dritë librin e tij më të ri, me venerime letrare të veçanta  dhe origjinale, me titull: "Domeni i literaritetit".

Librit në fjalë i paraprin një parathënie e shkurtër, por shumë përmbajtësore e autorit, ku thekson se në libër janë përfshirë tekste kritike të tipeve të ndryshme që trajtojnë dukuri letrare, libra dhe ide, por edhe disa aspekte të tipologjisë së një procesi letrar që prek periudha të ndryshme. Duke u marrë me problematikën në fjalë, autori përmend edhe motivin që, siç thotë edhe ai vetë, buron nga nevoja që të shihet një kontinuitet letrar, meqenëse letërsia sot , sipas venerimeve të këtij autori, gjendet në një periudhë tranzicioni (të gjatë), ku tradita e re letrare e shtynë kufirin nga klasikja.

Një pjesë e autorëve që janë trajtuar në këtë libër tashmë i takojnë fondit të traditës sonë letrare. Pikërisht këtu, shkruan autori, duhet kërkuar edhe atë farë vije kalimtare, kalimi nga aktualiteti në traditë e shpesh edhe nga klasikja. Duke e vështruar kështu këtë fenomen, autorit i ka hyrë në punë edhe aksiologjia, vetëdija mbi vlerën dhe hierarkinë e vlerave, ajo që e dallon veprën e gjallë, ajo që vazhdon ta ketë jetën e vet aktive edhe pas ikjes së autorit (siç është rasti me Teki Dervishin dhe Beqir Musliun, të cilët janë trajtuar me shumë përkushtim dhe kompetencë nga autori Ramadan Musliu).

Një dukuri tjetër që e shquan këtë  moment tranzicioni, sipas autorit, Ramadan Musliu, është kthimi i "risentimeneve", nostalgjive të vjetra, çfarë është riaktualizimi i reminishencave nga real-soci  shqiptar dhe trajtimi degradues i autorit si avangardë sociale dhe  politike, çështje që në Letërsinë e Kosovës ishte zgjidhur në vitet e 50-ta të shek. të kaluar. Për këto dhe arsye të tjera shtrohet nevoja e verifikimit të vetë procesit letrar dhe të qëndrueshmërisë së kontinuitetit  të atij procesi dhe asaj kohe dhe verifikimit estetik të veprave të botuara gjatë asaj  kohe dhe e verifikimit  të funksionalitetit  të asaj estetike në kontekstin e ri.

Vlen të theksohet se libri në fjalë, siç u pa edhe në paraqitjen e përmbajtjes, pak më lart, është ndarë sipas përkatësisë gjinore: prozë, poezi  e kritikë letrare. Ndërsa vetë titulli i veprës, edhe sipas  autorit, që e thotë në Parathënie, ka për synim që ta markojë hapësirën e shtrirjes së literaritetit, asaj konstante estetike, e cila duhet të jetë vepruese në periudha të ndryshme.

Krejt në fund le të themi  se këtu, siç e ka vënë re dhe vlerësuar edhe Petrit Palushi, Ramadan Musliu, sërishmi shfaqet me venerimin e vet autorial mbi tekste letrare që  merr në shqyrtim. Aty shmanget njëtrajtshmëria ose nuk funksionon si e tillë: kjo ndodh se  çdo vepër letrare shihet  në të veçantën e vet, mu aty ku frymon përnjëmend si e tillë. Venerimet e autorit, vlerëson P.Palushi, në tekstet në shqyrtim (në zhanre të ndryshme: prozë, poezi, kritikë letrare), shtrihen ndjeshëm në rrafshin vertikal dhe horizontal, duke zbuluar pikërisht ato mekanizma funksionalë të teksteve, që i bëjnë estetikisht të spikatura dhe që mund  t'i  ofrohen lexuesit vetëm  në atë rrafsh. Dhe kjo gjë, konstaton me të drejtë P.Palushi, i jep bukuri leximi kritikës letrare të R.Musliut.