“Një tren për Bllacë” edhe në kroatisht

Kultura February 09, 2018 - 15:14

Libri i titullar “Një tren për Bllacë”, i shkrimtares Ilire Zajmi, tashmë është përkthyer edhe në gjuhën kroate dhe do të promovohet në Zagreb të Kroacisë, shkruan zeri.info.

Ky libër do të prezantohet në kuadër të kremtes së dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Libri promovohet nga Bashkësia Shqiptare e qytetit të Zagrebit dhe Biblioteka Qendrore Shqiptare e Kroacisë, me mbështetjen e deputetes shqiptare në Parlamentin kroat, Ermina Lekaj Prlaskaj. “Një tren për Bllacë”, do të promovohet këtë të shtune.

Zajmi ka të botuara disa libra, përfshi këtu përmbledhjen me poezi “Kambanat e mëngjesit”, romanin “Fashitja e ëndrrave rebele”, përmbledhjen me poezi “Baladë e bardhë”, librin publicistik "Një tren për Bllace", librin studimor "Pamjet televizive dhe realiteti", përmbledhjen me poezi “Amnesia”, botuar në Portugali, romanin "Era", botuar në Shqipëri, vëllimin me poezi "C 'estla fin" në gjuhën frënge e përmbledhjen me poezi "Valsi i mesnatës". Zëri