Zhbërja e mallkimit historik

Kultura February 09, 2018 - 08:27

Strukturalisht, romani Mallkimi i shekujve, i Gazmend Bytyçit, romani i tij i dytë, i botuar këto ditë, ka prologun, epilogun dhe tetë kapituj. Mallkimi i shekujve, një roman historiko-mitik, ndërtohet përmes shumë mikrotemave që lidhen me aktualitetin e pasluftës si, raportet ndëretnike, vrasja e humanes nga politika, të pagjeturit, varrezat serbe në Kosovë- familjarët në Beograd, derisa në mënyrë paralele dalin tema të lidhura me antikitetin e mitiken, duke u shfaqur  më shumë  përmes konteksteve kohore të rrëfimeve dhe mbi rrëfimeve, që janë në formë letrash të shkruara, e në formë të interpretimeve të rrëfimeve të të tjerëve (të xha Bardhit-që ka nipin të zhdukur). 

Empiria kombëtare historike, përmes luftërave të ilirëve, Skënderbeut dhe të kohërave më pas, duket të jetë temë në një distancë, por përshkohet përmes kontekstit të rrëfimeve mbi aktualitetin, duke ndërtuar një  paralelizëm kohësh. Konflikti abstrakt dhe shumë shpirtëror e që lidhet me  psikologjinë tradicionale, është  mallkimi i largët, nga Çatia e Botës, që edhe duket se e merr primatin si  temë qendrore e këtij romani.

Kjo temë i gjeneron të gjitha të tjerat, duke e vënë lexuesin në vrap të dekodimit  të atij mallkimi,  që në këtë rast mund të merret si një çkodifikim i një zbulimi –letrës  së Aleksandrit nisur Mesterit, një orakulli, që c mitizon hulumtimin e  Jellës,  arkeologe dhe grupit të saj. Ky deshifrim  del të jetë deshifrim i gurit me shtatë fytyra, një metaforë kjo e përdorur në kuptimin e historisë sonë të pafundme. Romani nis me porosinë e Jellës dhënë  Gurit, një çuni shtatëvjeçar:  kërko një guri me shtatë fytyra, me të cilin autori  krijon një paralelizëm me personazhin kryesor që është Guri e që do të  vritet në Tiranë, nga ndonjë “mallkim”.

Guri dhe idetë e tij, që janë bartëse të refleksionit autorial, rrëfimtari i rrëfimeve si dhe i  përvojave  të individëve historikë, mitikë e i atyre  bashkëkohorë, shpesh ikën nga epiqendra e autorit, sepse duke e paraqitur si një bartës të filozofive e dëshmive të ndryshme historike, harron ta ofrojë më shumë botën e tij individuale dhe mbetet i identifikuar me atë që e rrëfen, ndoshta edhe me gurin shtatë fytyrësh, që e hulumtojnë arkeologët.

Ai, duke shpjeguar ngjarje reale të Aleksandrit, të Skënderbeut, të kohës së Zogut,  të luftës së fundit në Kosovë, duke i futur këto epoka të mëdha në trill, duke ndërtuar gjendje historike- fiksionale, duke prekur edhe kufinjtë e mitit, nxjerrë  qëllimin e rifunksionalizimit të historisë dhe mitologjisë,  risementimin e lashtësisë dhe identitetit. 

Kjo kthesë  përmes thyerjeve  retrospektive, por edhe përmes interteksteve,  që i bëhet lashtësisë, religjioneve, kapërcimeve të dhembshme e konvertimeve, kanunit, legjendave, traditave të ndryshme e deri te lojrat urbane në internet, përbën mozaikun tematik të romanit.

Të gjitha këto përbëjnë një peshë të madhe për një roman me 170 faqe, por autori përmes kodit semik, bën një realizim shumë kreativ të gjithsecilës nga këto.

Tema mitike është konflikti qendror, ajo është  mallkimi që kishte jehuar për ilirët në një pjesë të botës, ku aksidentalisht ishin gjendur Yllirianët dhe biri i tyre luftarak Aleksandri, i cili edhe vdes  nga mallkimi , sepse kishte ndarë mbretërinë e Bagdadit, dhe nga ky mallkim humbet edhe historia e Yllirianëve në historinë e tokës.

Aleksandri vdes shtatë muaj pas mallkimit. 

Romani Mallkimi i shekujve,  është  prozë e  veprimit, e jetës, një prozë e pangarkuar me poetizime që do ta dëmtonin romanin, por njëkohësisht është me plot asociacione, refleksione dhe mistikë, përmes së cilës është e koduar e tashmja, e edhe e ardhmja, sepse mallkimi i pagojasve (autori ndërton këtë fjalë për mallkuesit e ilirëve) është nyja e Gordonit për veprën në fjalë, e cila edhe nuk ka ndonjë intrigë tjetër dominonte.

Të gjitha nëntemat lidhen me kombëtaren, pa retorikë, pa sforcim, por përmes një diskursi sa historik aq mitik, duke e plotësuar kronotoposin, që është i gjerë dhe i thellë, por që korrespondojnë në formë shumë harmonike.

Përfytyrimi i historisë antike dhe komunikimi i saj me kohën më të re, ndërlidhja me hapësirën autoktone dhe atë botërore, institucionalizon historinë tonë të lashtë dhe atë më të re. Ngjarjet, rrëfimet dhe historitë që nuk janë vargore, por të shumta,  provokojnë sidomos përmes mitikes së numrit 7,  që del me magjinë e tij si një mekanizëm i importuar nga letërsia gojore.

Subjekti  i romanit shtrihet në hapësirat mitike e njëkohësisht reale-historike të Maqedonisë, Dardanisë , Shqipërisë të Azisë e Afrikës deri te Persia, ashtu si shtrihen edhe personazhet nga mitet deri te ata historik, si gjarpri ilir e dielli, krahas Zeusit tonë , siç thotë autori, Bindi, Medauri,  Aleksandi, Skënderbeu, Zogu, Eufomeni, Kalisteni, mbreti Filip, Aristoteli, zotra e gjysmëperëndi të shumtë, bestytnitë, kanibalizmi, fiset e egra, ideja mbi hundakët, etj. 

Një intertekst bukur i gjatë del jeta e Rrogëtarit, shkruar  në formën e një leximi që bën Guri, një rrëfim ku autorit  jep sociologjinë e personazhit, jetën e tij sa në kishë sa në xhami, sepse duke qenë jetim, ofron filozofinë e njeriut të anatemuar për shkaqe krejtësisht natyrale.

Përmes këtij personazhi ne hasim edhe një qasje  psikoanalitike të autorit, që herë- herë ia bën edhe  botës së Gurit, të cilit i ik të pamurit, shkaku i streseve, krizave e anktheve.

Guri, del të jetë vetë profecia, derisa atij i transformohet  njëri sy i kaltër si qielli i ditës e tjetri i errët si nata.

Ky roman  nuk është vetëm një roman klasik, në kuptimin e lexueshmërisë, është një prozë moderne, që duke shmangur  linearitetin, ndërton nëntekstin, perspektivën rrëfimore, krahas retropektivës, informacionit, kuptimeve mitike, ku rrëfimi si ligjërim, bëhet storje, imazh dhe kuptim.

Kompleksiteti i narracionit, bën që veprimet  e personazheve të dinamizohen  dhe psikologjia e tyre të shfaqet me plot reaksione, që  shpërfaqin konfliktin e brendshëm, sidomos të Gurit, që  lë punën si përkthyes, derisa Bekimi gjuan sulmuesit, pavarësisht rrezikut.

Plaku Bardh, përkundër hezitimit e vuajtjes, rrinë e bisedon me serbin Mika, i cili edhe pse kishte ikur në Serbi kthehet sërish në Kosovë. Strassi amerikan, përkundër simpatisë ndaj Gurit, përfill ligjin dhe e ndëshkon atë.

Aty është edhe Rrogtari me jetën e tij, etj. Të kompletuar me veçori e tipare unikale, janë shumica e personazheve, sepse janë të ndërtuar bindshëm.

Romani ka edhe elemente të imta të  romanit policor- kriminalistik, siç është  hulumtimi ilegal i agjentit shqiptar në Zagreb, në  bibliotekën e Shuflajt, masonët dhe konfidencionaliteti i tyre  rreth varrit të  Aleksandrit, sulmi me armë që ju bëhet në Tiranë Bekimit dhe Gurit, derisa ktheheshin nga oborri mbretëror, e ndonjë situatë tjetër. 

Autori edhe ironizon shpesh, se si shqiptarët  nuk dihet në e duan më shumë Lekën apo lekët, apo përmes kontrastit të Shqipërisë  së Skenderbeut  me atë të viteve 90-ta dhe defektet shoqërore të saj, pastaj  fati i  Rrogëtarit dhe raporti i tij me qenin etj. Disa personazhe autori provon t i ngreh në  një dëshmi etike dhe historike  të shoqërisë.

Gjithsesi,  ideja autorit del të jetë se lufta, e cila tani duhej bërë kundër mallkimeve, është një luftë universale kundër të keqes dhe dimensionit të saj gjigant mbi historitë dhe mbi  njerëzimin.

Shkruan: Dije Demiri - Frangu