Baloku kthehet në skenë, ndërsa gjoba mbetet e diskutueshme

Kultura February 07, 2018 - 08:36

Edhe pse disa ditë më parë refuzoi të luante në shfaqjen “Bordel Ballkan”, në shenjë proteste, aktori Armend Baloku pritet të kthehet dhe ta realizojë rolin e tij në këtë shfaqje këtë të shtunë.

Në programin e Teatrit Kombëtar të Kosovës shfaqja “Bordel Ballkan” parashihet të reprizohet më 10 shkurt.

Por mospjesëmarrja në reprizën e kaluar dhe rrjedhimisht anulimi i shfaqjes “Borden Ballkan”, mund t’i kushtojë aktorit rezident të Trupës Kombëtare të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Armend Baloku 444 euro. Kjo pasi që menaxhmenti i TKK-së, bazuar në rregullore, ka vendosur ta gjobisë aktorin për sjellën e tij.

Baloku refuzoi të luante në reprizën e “Bordel Ballkan” si protestë për disa pakënaqësi që ka me Teatrin Kombëtar të Kosovës. Akuzat e tij për udhëheqësit e TKK-së fillimisht i ka bërë nëpërmjet një letre të publikuar në rrjetin social “Facebook”.

I kontaktuar nga gazeta “Zëri” aktori Baloku tha se megjithatë e ka ndërmend të kthehet në skenën e TKK-së, për të përmbushur, siç shprehet ai, obligimet e tij profesionale dhe për të qenë korrekt me audiencën e teatrit.

“Unë kam  munguar në shenjë proteste dhe vazhdoj të kem mendimin e njëjtë, sepse kjo qasje e udhëheqjes së tanishme duhet të marr fund, por unë kam obligim para audiencës së teatrit, andaj kam obligimet dhe përgjegjësitë e mia profesionale”, tha ai.

Sa i përket gjobës, aktori Baloku që është pjesë e ansamblit rezident të TKK-së që nga viti 2015, thotë se nuk mund ta pranojë një vendim të tillë dhe se pret që këtë gjobë të mos e përkrah as Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit.

“Në pamundësi që të demantojnë ato që i kam thënë unë me rastin e protestës, drejtoria apo udhëheqja ka marrë vendim për të më gjobitur, gjë të cilin në asnjë mënyrë nuk e pranoj dhe as që do ta respektoj një vendim të tillë. Kjo udhëheqje duhet të jap dorëheqje ose të shkarkohet pasi që deri më sot ka qenë vetëm improvizuese dhe në asnjë moment nuk ka qenë në nivelin profesional që i duhet një institucioni kulturor, sidomos në krye të institucionit më të lartë teatror në vend. Pres që Ministria e Kulturës të mos e mbështesë këtë vendim, me të cilin dënohet një profesionist për punë të palodhshme dhe profesionale. Uroj që duke mos e përkrahë këtë vendim t’i jepet eventualisht hov zhvillimit të gjithmbarshëm kulturor e jo të mbështetet provincializmi fort i prapambetur që mund të gjendet sot tek udhëheqja momentale. Ministri është një djalë i ri dhe dua të besoj që është për mbështetje serioze që mund t’i jepet në këtë rast artistit dhe të mund të jetë shembull se si udhëheqja e institucionit kulturore duhet të jap përgjegjësi për çdo gjë në kuadër të institucionit përkatës. Jam për ta ngritë nivelin dhe as që kam ndonjë variant ndonjë interes tjetër”, deklaroi ai.

Rikujtojmë se drejtori Agim Sopi ka thënë se në bazë të Rregullores së Teatrit Kombëtar të Kosovës, aktori që nuk vjen në reprizë të shfaqjes pa arsye detyrohet të paguajë gjysmën e biletave, në rastin e dytë, të gjitha biletat dhe në rastin e tretë i ndërpritet kontrata e punës.

Shfaqja “Bordel Ballkan” është bazuar në dramën e Eskilit “Orestia”. E zhvendosur në një kontekst të ri ballkanik, “Bordel Ballkan” flet për një lloj çoroditjeje morale e shpirtërore, nga i cili vuajmë në këto anë.

Drama mëton ta shpërfaqë një lloj besimi të rremë, të cilin ia veshim vetes si një rrobë e vjetër, e pas së cilës fshihemi, si duke dashur të tregojmë që ne jemi zotët e fatit tonë, që ne jemi qenie të vetëdijshme.

E përkundrazi, kjo dramë në tërësinë e saj tenton të na e dëshmojë të kundërtën: që në neve gjendet një kod i thellë shkatërrimtar, për të cilin ne kokëfortësisht nuk jemi të vetëdijshëm.

Me rolet e tyre në këtë shfaqje paraqiten aktorët Astrit Kabashi, May-Linda Kosumoviç, Adrian Morina, Armend Baloku, Semira Latifi, Armend Smajli, Shengyl Ismaili, Arta Selimi, Albulena Kryeziu-Bokshi, Shpejtim Kastrati, Ylber Bardhi dhe Adhurim Demi.

Regjinë e shfaqjes e ka bërë András Urbán kurse teksti është i dramaturgut Jeton Neziraj. /Zëri/