Ndikimi i Goethe-s në prozën shqipe

Kultura February 06, 2018 - 10:04

Studiuesja Albulena Blakaj, të hënën, në ambientet e bibliotekës kombëtare “Pjetër Bogdani”, ka promovuar librin e saj të ri, të titulluar “Goethe dhe receptimi i tij në kulturën shqiptare”, që ndër të tjera flet për ndikimin e këtij shkrimtari në prozën shqipe. Ky libër vjen nga shtëpia botuese “OM”.

Duke folur për “Goethe dhe receptimi i tij në kulturën shqiptare”, studiuesi dhe  shkrimtari Ag Apolloni, i cili është edhe redaktor i librit, këtë studim e vlerësoi si monografinë e vetme shqiptare që trajton çështjen e receptimit të kryeshkrimtarit gjerman në kulturën shqiptare.

“Interesimi kryesor i profesoreshës dhe studiueses Albulena Blakaj lidhet me figurën e shkrimtarit të madh botëror, Goethe, për veprën e të cilit ka bërë studimin e doktoratës dhe ka publikuar disa studime në gjuhën shqipe dhe gjermane. Studimi ‘Goethe dhe receptimi i tij në kulturën shqiptare’ është një kërkim mbi gjurmët e gjeniut gjerman në kulturën dhe letërsinë shqiptare. Ky kërkim mbi fenomenin Goethe, i bërë sipas metodës integrale, argumenton interesimin e përkthyesve, studiuesve, shkrimtarëve dhe lexuesve shqiptarë, për veprën kolosale të autorit gjerman, receptimi, adhurimi dhe ndikimi i së cilit në kulturën shqipe vjen bashkë me konsolidimin estetik të saj. Studimi ‘Goethe dhe receptimi i tij në kulturën shqiptare’ është monografia e vetme që trajton çështjen e receptimit të kryeshkrimtarit gjerman në kulturën dhe letërsinë shqiptare. Rrjedhimisht, kjo është monografia më e madhe shqiptare e shkruar sipas metodës gjermane të receptimit”, theksoi Apolloni për "Zërin".

Ai tutje konstatoi se libri i Blakajt, që ballafaqon një shkrimtar të madh me kulturën shqiptare, mbush një vakum në studimet tona.

“Ky studim jo vetëm që mbush një vakum në studimet tona, por edhe nderon letërsinë dhe kulturën tonë me rezultatet që sjellë. Derisa receptimi si tezë primare është njëri nga segmentet që kërkohen dhe dokumentohen në këtë studim, ndikimi si tezë sekondare është fenomen më i vështirë për t'u eksploruar, pasi askund nuk është shfaqur në mënyrë të afishuar, por ka dalë si i nënkuptuar. Pavarësisht vështirësive, autorja e këtij studimi e ka kaluar këtë sfidë duke argumentuar bindshëm hipotezat e saj mbi receptimin dhe ndikimin”, tha ndër të tjera Apolloni.

Ai bëri të ditur se i ndarë në gjashtë pjesë, ky studim sjellë portretin e gjallë të shkrimtarit dhe hijen e tij të madhe të përhapur në vende e kultura të ndryshme, me theks të veçantë në atë shqiptare.

Në anën tjetër, në esenë e tij “Goethe edhe i shqiptarëve”, studiuesi Gëzim Aliu u shpreh se libri i Blakajt është libër për krijimtarinë e gjeniut gjerman dhe libër për kulturën shqiptare, që e pranon dhe përpiqet ta përvetësojë.

“Duhet të jemi të gëzuar që shkrimtari i madh, universal, shkrimtari i njeriut të emancipuar është edhe i shqiptarëve, ashtu siç është i tërë botës së civilizuar, i kulturave që e kanë kapërcyer gardhin e ngushtë nacional dhe janë bërë pasuri e të gjithëve. Monografia e Albulena Blakajt është libër mbi tematik. Është libër për krijimtarinë e gjeniut gjerman dhe libër për kulturën shqiptare që e pranon dhe përpiqet ta përvetësojë. Është libër ku bëhen analiza tekstesh, krahasime përkthimesh, konstatime të sakta, pa kapërcyer kurrë në spekulime dhe ku gjejmë informacion të pasur dhe evidentim këmbëngulës”, theksoi Aliu.

Tutje ai tha se studiuesja Blakaj qysh në fillim e tregon qëllimin e monografisë, që është kujtimi i këtij autori në kulturën e letërsinë shqiptare.

“Qëllimi i monografisë nuk është aspak i lehtë, sepse ka të bëjë me dy gjuhë, dy letërsi, dy kultura, ku e dyta është vazhdimisht marrëse, pranuese dhe përvetësuese e dukurive përparimtare dhe tepër rrallë edhe dhënëse. Mendoj që qëllimi i Albulena Blakajt ka qene pikërisht këtu. Çfarë ndodh kur një gjigand letrar i një populli të madh e kulture të jashtëzakonshme pranohet në gjirin e popullit të vogël. Ka popull të vegjël që i kanë dhënë shumë botës. T’i përmendim këtu grekët dhe hebrenjtë. Ndikimi i Platonit dhe Aristotelit është ende i fuqishëm në botën perëndimore, ndërsa populli i librit, siç quhen hebrenjtë nga fqinjët e tyre arabë, ndër të tjera kanë dhënë edhe Krishtin, i dyti pas Budës që predikon faljen në vend të hakmarrjes, por në emër të secilit pastaj janë bërë luftërat më të përgjakshme të njerëzimit, megjithatë ndjenjat religjioze ndaj të cilit kanë dhënë katedralet më të bukura, letërsi dhe melodi rrëqethëse”, tha ndër të tjera Aliu, duke theksuar se Monografia “Goethe dhe perceptimi i tij në kulturën shqiptare” shquhet për pasurinë e informacioneve letrare dhe biografike, për gjuhën elegante shqipe, për gërshetimin metodik, për guximin intelektual dhe akademik për t'u marr më dy tema.

Sipas tij, si e tillë monografia është e vlefshme letrarisht, e rëndësishme si literaturë për studentë dhe studiues dhe e këndshme për lexim. /ZËRI/