Frymëzohem dhe inspirohem nga muzika klasike

Kultura February 05, 2018 - 09:17

Këtë javë, në rubrikën javore të "Zërit", “Rrëfej përmes muzikës”, sjellim aktoren Beslidhje Bytyçi.

Ajo, ashtu siç një aktoreje i duhet të shëtisë nëpër role të ndryshme, na shëtitë nëpër zhanre të ndryshme muzikore, por edhe shpjegon se si me secilin ka një lidhje të veçantë.

Në listën e krijimeve muzikore të preferuara të Bytyçit, zë vend muzika klasike, muzika jonë qytetare, por edhe ajo moderne botërore.

Përmes Chopinit e deri te Nexhmije Pagarusha, mund të mësoni më shumë për aktoren Bytyçi.

F.Chopin - Spring Waltz

E dëgjoi shpesh, sidomos kur jam vetëm, gjithmonë thellohem dhe kam nevojë të kthehem mbrapa në kohë; i mbylli sytë dhe fantazoj. Jam shpirtërisht e lidhur me “Spring Waltz” edhe me të gjitha kompozimet e tij. Mjafton me i mbyllë sytë që ta shohësh veten të hipnotizuar!

Dean Martin - Let It Snow

“Let it snow” është kënga që çdoherë ma ndreq disponimin, më lumturon, më ngjallë shumë nostalgji për fëmijërinë, sidomos gjatë dimrit kur ka shumë borë, e që është stina ime më e dashur. Më kujton babanë edhe gjyshin tim. Dimrit, në oborrin e shtëpisë, me motrat e vëllezërit, ndërtonim dordolecin e kur e përfundonim nuk hynim brenda pa dal babai edhe gjyshi  që të bënim foton me dordolec. Pjesa e fotos ka qenë ai momenti që e prisnim deri në fund.

Një ditë të bukur maji

Kënga që e kisha për provim pranues, ndaj më kujton shumë momente të mira. Më kujtohet prof. Arbresha Nixha-Grabovci  dhe prof. Hazir Sh. Haziri kur me zë të ultë e patën kënduar bashkë me mua. Prof. Alma Bektashi me vëmendje më dëgjonte dhe si përfundim ju pëlqejë shumë. Më kujton edhe momentin kur jemi taku me Nikun në  fakultet dhe në një mbrëmje në "Atele", kafe te Fakulteti i Arteve. Në atë kohë gjatë studimeve organizonin mbrëmje me muzikë karioke. Dola të këndoj këngën e njëjtë, por që përfundova duke e kënduar “Rrugës i trishtuar”. Ha-ha, mos ta zgjasë pse ndodhi ashtu, por ka qenë një moment shumë i lezetshëm edhe qesharak.

Britney Spears - Oops…I Did It Again

Më kthen mbrapa në shkollën fillore. Disa këngë të saj edhe sot i dëgjojë shpesh. Britney Spears atë kohë e kisha favorite. Kjo këngë më kujton kur me  shoqet krijonim koreografi për ditë të shkollës. Edhe kënga Barbie Girl (Acua )më kujton shoqet e mia dhe ato improvizimet që i bënim për koreografi.

Gladiator - Now We Are Free

Soundtracku te “Gladiatori”, nga Hans Zimmer, sa herë që e dëgjoj i mbylli sytë derisa të përfundon dhe pavetëdije thellohem në mendime. Përndryshe Hans Zimmer është gjenial. Dëgjoj shumë kompozime të tij, ndaj po i përmendi edhe disa të tjera që i dëgjoj shumë: “S.T.A.Y”(Interstellar), “Time” (Inception),”A way of life” (the last samuray), ”Tell me now what you see” (King Arthur),”One day” (Pirates of carebbean)…

James Brown - I Feel Good

Sa herë që e dëgjoj në çdo kohë ose rrethanë, disponohem menjëherë. Kjo këngë më lidh me shumë momente të mira, sidomos me motrat e vogla.

Coldplay - Fix You

E dëgjoj çdo ditë. Mallëngjehem me këtë këngë. Ka një domethënie të madhe për mua teksti i këngës. Përndryshe Coldplay është njëri nga  grupet e preferuara.

Avicii - Hey Brothers

Kjo këngë dhe teksti i saj më lidh me motrat dhe vëllezërit e mi, njerëzit më me vlerë dhe më të rëndësishëm në jetë.

Beethoven

Beethoveni është gjeni i sojit të vet. Fur Elise, Moonlight Sonata, Melody Of Tears, Symphony nr.9,Silence… e janë edhe më shumë që i dëgjoj dhe më lidhin me disa ngjarje në jetën time. Përndryshe muzika klasike është pjesë e imja në çfarëdo situate, sidomos kur lodhem ose kam shumë stres gjatë provave. Frymëzohem dhe inspirohem nga muzika klasike.

Nexhmije Pagarusha – E dehur jam

Sa herë e dëgjoi rikthehem në vitet e studimeve. Përndryshe e kemi pasur këngën e klasës gjatë katër viteve, sepse çdo shfaqje semestrale që e kemi përfunduar pas premierës festonim në bufenë e Teatrit Dodona. Profesori jonë Mentor Zymberaj e ka pasur shumë për qejfi këtë këngë dhe çdoherë ka kërkuar ta këndonim bashkë krejt klasa. Edhe sot sa herë që shihemi me të klasës na kujtohen shumë momente me këtë këngë…!