Artistët reagojnë për mbulimin e muraleve te rruga “B”

Kultura February 02, 2018 - 10:31

Disa muaj pasi u mbulua me murale të punuara nga artistë vendorë e ndërkombëtarë, në rrugën “B” të kryeqytetit, filluan të shfaqen sërish reklama në hapësirat publike.

Këtë javë, dy kompani private, mbuluan vepra artistike me logot e tyre pa lejen e Komunës.

Për këtë problem ka shprehur shqetësimin Qendra për Zhvillimin e Artit (Q’art). Ata konsiderojnë se në këtë mënyrë po degradohen hapësirat publike të dedikuara për art në Prishtinë.

“Ditëve të fundit është vërejtur rishfaqja e reklamave tek muri në Rruga ‘B’. Pas mbulimit të shkarravitjeve dhe reklamave në kuadër të festivalit ndërkombëtar “Meeting of Styles”, e tërë ajo pjesë pat marrë një pamje të re si dhe ka vazhduar të shërbejë si prapavijë për shumë video incizime, me ç’rast edhe për promovimin e Prishtinës si vatër e artit të rrugës, prej të cilës përfitojnë më së shumti qytetarët dhe kafiteritë e asaj pjese. Sot vërejtëm se një pjesë e këtij muri pranë rrethrrotullimit është mbuluar nga reklamat e dy bizneseve, CIMA Construction dhe Restoran LORIANO.

Si organizata e vetme që deri më tani ka arritur të bëjë intervenime në hapësira publike, "Q’art" vazhdimisht ka ngritur zërin kundër fenomenit të dominimit të reklamave në hapësirat publike, siç ka qenë deri më tash në mënyrë kaotike dhe pa kritere të duhura. Si organizatë ftojmë Komunën e Prishtinës dhe organet përkatëse që të marrin masat përkatëse për të evituar shëmtimin e mëtejmë të kësaj pjese. Për të vendosur rregull në këtë fushë, Q’art propozon rekomandimet si në vijim:

1. Muri tek Rruga ‘B’ të mbrohet nga reklamat dhe dëmtimet, dhe të jetë i dedikuar për vepra arti. 2. Bizneset që kanë ngjyrosur këtë pjesë me reklamat e tyre të gjobiten dhe mjetet nga gjoba të  përdoren për të mbuluar këtë pjesë me vepra të reja arti. 3. Komuna e Prishtinës dhe Qendra për Zhvillimin e Artit të nënshkruajnë një Memorandum Bashkëpunimi, me të cilin synohet si në vijim: a. definimi i strategjisë afatshkurtër për ringjalljen e hapësirave publike të mbetura shkret; b. arti në hapësira publike të hyjë në agjendën prioritare të komunës; dhe  c. të bëhet rregullimi institucional i artit në hapësira publike.”, thuhet ndër të tjera në reagimin e tyre.

Për këtë veprim ka reaguar shpejt edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Ai ka njoftuar se tashmë këto reklama do të largohen dhe kompanitë janë gjobitur me nga 300 euro.

“Dikush sot paska fillu me i prish muralet me reklama. Ne do t’i dënojmë këto biznese, me qëllim edhe emrin po ja u vendosi për me tregu se nuk i bën nder askujt me punu kundër rregullit e ligjit e edhe kundër artit. I paralajmërojmë edhe të tjerët se do të ngrisim kallëzime penale”, shkroi Ahmeti të mërkurën në Facebook.

Rruga “B” është një nga rastet e rralla në kryeqytet ku hapësira publike është përdorur në funksion të artit. Muaj më parë kur punimet e këtyre muraleve përfunduan qytetarët e asaj ane dhe përgjithësisht kryeqytetasit u shprehen të kënaqur me pamjen që ka marrë kjo rrugë.

A.S