Film për dashurinë e pamundur në ditët e sotme në Kosovë

Kultura February 01, 2018 - 09:57

Që nga kjo javë të gjithë të interesuarit për ta parë filmin “Martesa” të Blerta Zeqirit mund t’i drejtohen kinemasë “Cineplexx” në Prishtinë apo “DokuKino”-s në Prizren ku ky film po prezantohet, por ata mund të habiten kur ky projekt kinematografik me shumë gjasë do t’i kalojë pritshmëritë e tyre.

Regjisorja Zeqiri ka zgjedhur të prezantojë një film ku ndodh një dasmë, por i saji është krejt ndryshe nga ajo çfarë jemi mësuar të shohim në filmat që përfundojnë me martesë.

Thënë shkurt, ky film na jep një trekëndësh dashurie. “Martesa” flet për një çift në të tridhjetat, Bekimi (Alban Ukaj) dhe Anita (Adriana Matoshi), të cilët po planifikojnë martesën, por në anën tjetër shfaqet edhe Noli (Genc Salihu), me të cilin Bekimi kishte qenë në lidhje kohë më parë.

Zeqiri sjell pra një histori që ka të bëjë me situatën e komunitetit LGBT në vend. Këto raste asaj i pëlqen t’i quajë “Roemo e Xhulieta të shoqërisë kosovare”.

Kështu ajo deklaroi edhe në një intervistë për Zërin javë më parë, e mënyra se si krejt kjo ngjarje paraqitet në filmin e saj ta jep vërtet këtë bindje. Zeqiri e bën të qartë se shoqëria ku është vendosur ngjarja është kontradiktore.

Dashuria e Nolit dhe e Bekimit është rreptësishtë e ndaluar dhe e papranueshme në bazë të disa normave të sajuara shoqërore.

Se sa e papranueshme është të jesh LGBT në Kosovë e shfaq shumë mirë një nga skenat e filmit kur Noli përndiqet dhe rrahet nga ekstremistët. E vetëm pas kësaj regjisorja na e konfirmon natyrën e vërtetë të marrëdhënies së dy burrave.

Zeqiri na jep një skenë të apasionuara mes çiftit homoseksualë, të paparë më herët në kinematografinë shqiptare. Veçanti tjetër e këtij filmi është se sa afër i rri ai realitetit të Kosovës. Aktorët protagonistë dalin tejet të mishëruar dhe gjendja e tyre është absolutisht reale.

Ky përkushtim e bën që filmi t’i kalojë përmasat e një “Historie LGBT” sepse falë performancës dhe emocionalitetit që sjellin aktorët në fund të filmit kur ekrani fiket dhe dritat e sallës ndizen filmi “Martesa” i Blerta Zeqirit është veç një histori e trishtueshme e dashurisë, që rrethanat e pengojnë të zhvillohet. Kur Noli dhe Bekimi përshëndeten në aeroport është një skenë që sjell një dialog fare të shkurtër por edhe që tregon thjesht dy të dashuruar që po ndahen me dhimbje.

E për ta sjellë këtë histori kaq të veçantë Zeqiri ka zgjedhur disa nga emrat më të dëshmuar të skenës. Publiku është i familjarizuar me Adriana Matoshin, një nga aktoret më të mira kosovare dhe me Alban Ukajn, të vlerësuar lart gjithashtu, por muzikanti Genc Salihu që vjen në rolin e Nolit pa dyshim se ishte një befasi e mirë.

Në konferencën për medie, e mbajtur pas premierës së filmit në “Cineplexx”, Salihu tha se aktrimi pranë Adriana Matoshit e Alban Ukajt nuk ishte i vështirë me udhëzimet e regjisores Zeqiri dhe me rehatinë që ia dhanë kolegët.

“Për mua kjo ishte një nga përvojat profesionale më përmbushëse që kam pasur. Kam mësuar shumë për artin e performancës. Më ka ndihmuar t’i kuptoj sendet më në detaje. Dua t’i falënderohem Blertës për mënyrën se si më ka udhëzuar. Ishte një bashkëpunim organik dhe jam ndier shumë i sigurt gjatë procesit. E gjithashtu dua t’ju falënderohem dy kolegeve të mi Adrianës edhe Albanit, të cilët janë dy prej aktorëve më të mirë që e kemi dhe të dalësh në skenë me ta është pak e tutshme, por këta kanë qenë jashtëzakonisht të mirë më mua dhe kanë ditur të krijojnë një hapësirë te vetja që mendon për mua, që unë jam aty dhe nuk jam profesional. Ndaj dua t’i falënderoj të dy”, u shpreh ai, duke theksuar se kjo mbetet një nga përvojat më të bukura.

E përveç luftës për dashuri që Ukaj e Salihu e sjellin me rolet e tyre, “Martesa” prek edhe luftën e fundit në Kosovë. Filmi trajton çështjen e personave të pagjetur dhe në këtë rast janë prindërit e Anitës, eshtrat e të cilëve pritet të kthehen nga Serbia.

Sipas regjisores, tema e luftës lidhet ngushtë me secilin prej nesh që jetojmë në Kosovë dhe në një mënyrë apo tjetër ka ndikim te ne, ndaj ka zgjedhur ta trajtojë edhe në filmin e saj.

Si rezultat final, lidhja kohore mes asaj çfarë ndodh në luftë, kur nis historia e djemve dhe vite pas kur Bekimi është në prag të martesës, vjen shumë natyrshëm dhe i sqaron shikuesit shumëçka.

Në këtë film secili protagonist del si viktimë. Është Anita, naive gati ndaj gjithçkaje që po ndodh dhe e lënduar nga historia e saj familjare, Bekimi i cili gjendet mes dashurisë së jetës së tij dhe pritshmërisë që familja ka për të dhe Noli i cili përpiqet të luftojë për marrëdhënien e tyre.

Filmi “Martesa”, i regjisores Blerta Zeqiri, pati premierën botërore në një festival të kategorisë “A” në Tallinn të Estonisë, më datën 28 nëntor dhe nga atje u kthye me dy çmime. Sipas ekipit, ky rrugëtim pritet të vazhdojë edhe nëpër shumë festivale.

Rikujtojmë se për publikun e Kosovës përveç në kinemanë “Cineplexx” në Prishtinë, ku do të jetë pjesë e programit të rregullt, “Martesa” do të shfaqet edhe në “DokuKino” në Prizren. Kurse për publikun në Shqipëri ky film jepet premierë më 3 shkurt 2018 në Tiranë, në kinemanë “Mileniumi”. /ZËRI/