Komuniteti artistik pret një vit të frytshëm sivjet

Kultura January 05, 2018 - 12:12

Me fillimin e vitit po definohen edhe agjendat kulturore nga institucionet dhe artistët për muajt në vijim. Duke qenë se 2018-ta është shpallur “Viti i Skënderbeut”, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” pritet të ketë një agjendë të ngarkuar.

Drejtori i ansamblit “Shota'”, Shefqet Gjocaj, tregoi për gazetën “Zëri” se për këtë vit kanë të planifikuara disa paraqitje të rëndësishme që edhe lidhen me data të rëndësishme.

“Siç e dini viti 2018 është shpallur zyrtarisht “Vit i Skënderbeut”, vit ky që përkon me rastin 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut. Për këtë arsye Ansambli veç ka filluar kontaktet me krijues, për realizimin e një shfaqjeje koreografike për kryeheroin tonë kombëtar. Gjithashtu në vitin 2018 kemi edhe dy përvjetorë tjerë të rëndësishëm: 10 vjetori i Pavarësisë së Kosovës (17 Shkurt) dhe 20 vjetori i Epopesë së UÇK-së (5,6 dhe 7 Mars). Gjithsesi planifikojmë që gjatë këtij viti të realizojmë edhe shumë shfaqje tjera dhe të marrim pjesë në festivale të karakterit kombëtar dhe Ndërkombëtar. Të bashkëpunojmë me institucionet simotra nga Republika e Shqipërisë, në kuadër të ‘Kalendarit të përbashkët kulturor’, theksoi Gjocaj. Tutje ai shtoi se “Shota” do të  përpiqet të prezantohet edhe para publikut ndërkombëtar, përkundër vështirësive me të cilat përballet ky ansambël.

“Shpresojmë shumë, për aq sa na lejon buxheti, që të marrim pjesë në festivale të rëndësishme të folklorit ne botë dhe në kuadër të “diplomacisë kulturore” të vizitojmë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, sepse do të ishte shumë e rëndësishme që ne para botës të shpalosim vlerat e trashëgimisë sonë shpirtërore e materiale dhe traditën tonë, e cila do të ndihmonte shumë edhe diplomacinë kosovare përgjithësisht. Po ashtu mendojmë që gjatë vitit 2018 do të riaktivizojmë shkollën për vallëzim dhe instrumente popullore për fëmijë. Planifikojmë po ashtu që gjatë vitit 2018 të realizojmë edhe një premtim që u kemi bërë arbreshëve të ‘Horës…’ për pjesëmarrje të Ansamblit në njërën nga festat e tyre tradicionale, për çka kemi marrë ftesa pothuajse për çdo vit, por që nuk i kemi realizuar, për shkaqe buxhetore”, tregoi Gjocaj.

Teatri Kombëtar i Kosovës vitin 2018 do ta nis këtë të premte me shfaqjen “Të harruarit”, me regji të Shkurtë Aliut, e cila jepet në skenën e vogël. Gjatë janarit  në TKK do të reprizohen edhe disa shfaqje të tjera, si “I ligu për mend” apo “Aventurat e reja të Don Kishotit”.  Në anën tjetër gazeta “Zëri” merr vesh nga drejtori artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Agon Myftari, se ky institucion është duke punuar që ditët në vijim ta definiojë repertorin e këtij viti, pas mbledhjes së Këshillit Drejtues.

Në anën tjetër, edhe në kinematografinë kosovare do të prezantohen disa premiera, të cilat drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, i konsideron të rëndësishme.

“QKK çdo vit po rritet shumë e më shumë dhe natyrisht presim që viti 2018 të jetë edhe më i suksesshëm se viti që lamë pas. Presim që këtë vit të jepen premierat e disa filmave të mbështetur nga QKK, si premiera kosovare e filmit 'Martesa', nga Blerta Zeqiri, pastaj shpresojmë të jepen premierë filmat: 'Fusha e Mëllenjave', nga Arzana Kraja, 'Njeri'i dosjeve', nga Ismet Sijarina, 'Aga', nga Lendita Zeqiraj, 'Qiej të Trazuar', nga Anton Ndreca etj.

Prioritetet e QKK-së nuk ndryshojnë, duke qenë se konkursi është aktiviteti kryesor i institucionit, me shpresë që këtë vit buxheti i QKK-së të jetë më i madh dhe të mund t'i arrijmë aspiratat tona dhe të jemi edhe më prezent me filmat tonë nëpër botë.

Natyrisht për vitin 2018 QKK planifikon futjen në funksion të Rregullores për lehtësirat financiare, lobimin për anëtarësimin e Kosovës në Euroimages, hartimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit me Bullgarinë, Kroacinë dhe Turqinë, si dhe hyrjen në funksion të Rregullores së Ministrisë së Kulturës për sponzorizime, që do të jetë edhe një mundësi më shumë në gjetjen e fondeve alternative për filmbërësit kosovarë, duke ju ofruar atyre mundësi më të mëdha në gjetjen e sponzorëve lokalë”, tha Zharku për Gazetën “Zëri”.

Edhe teatri i qytetit të Prishtinës, “Dodona”, veçse ka nisur me aktivitet pas renovimit që u bë atje. Për gazetën “Zëri” menaxheri i këtij teatri, Valdet Rama tregoi se aktualisht po punohet për tri shfaqje të reja.

“Aktualisht po punohet për shfaqjen ‘Ëndrra e Hamletit’, nga Mentor Zymberaj, ‘Kuarter” e Heiner Muller, nga Ermal Rexha dhe ‘Arti i ekzilit’ nga Alban Beqiraj. Në fund të janarit pritet ta kemi premierën e parë, pastaj do të vijojmë më të tjerat”, tregoi Rama, duke shtuar se “Dodona” është në pritje të zgjedhjes së Këshillit të ri drejtues, pastaj zgjedhjes së drejtorit të ri. Ai bëri të ditur se në këtë teatër ka mungesë të aktorëve me kukulla dhe është e domosdoshme të hapet një konkurs, që të mos rrezikohet repertori shfaqjeve për fëmijë, sepse aktualisht po punojnë vetëm me një aktore.