Edita Dula, mikja e nënave dhe e fëmijëve

Kultura January 03, 2018 - 10:42

Aktoren Edita Dula e gjetëm në mes një grumbulli të madh dhuratash, të mbledhura në lokalin që gjendet në lagjen “Ulpiana” të Prishtinës, në të cilin ajo prej kohësh punon. Se nuk na priti në takim për të folur as për ndonjë projekt filmik, as shfaqje, as emision do ta kuptonte kushdo që do ta shihte ambientin, i cili i ngjante punëtorisë ku plaku i Vitit të Ri në filma përgatit dhuratat që fëmijët i gjejnë poshtë pemës së Krishtlindjeve.

Shumë e njohin si aktore dhe e identifikojnë me rolet e saj, por më pak janë ata që e dinë se Edita Dula ka themeluar dhe udhëheq një organizatë joqeveritare, e cila mëton t’ua shtrijë dorën e ndihmës të gjithë atyre që kanë nevojë.

Në fundin e vitit 2017 Dula dhe stafi i organizatës së saj “Nëna dhe fëmijë të lumtur” janë angazhuar me të gjitha kapacitetet e tyre t’i gëzojnë fëmijët me dhurata. Ajo na pret me buzëqeshjen që e karakterizon pa asnjë shenjë lodhjeje. E mban mend saktë numrin e dhuratave që i kanë ardhur në organizatë, shkollat, institucionet, miqtë, të njohurit e të panjohurit, të cilët ajo po i ndërmjetëson me fëmijët që do të gëzohen këtë fundvit. I ka në mendje djemtë e vajzat që do t’i marrin në dorë dhuratat e klasifikuara me aq kujdes.

Te “Nëna dhe fëmijë të lumtur” në takuam Jonin, një vogëlush nga Prishtina që kishte ardhur t’i sillte dy dhurata për bashkëmoshatarët e tij. Para nesh kishin ardhur një grup i organizuar nga kopshti “Buzëqeshja” për të përkrahur këtë iniciativë me anë të dhuratave të tyre. E lista e njerëzve që i janë bashkuar kësaj nisme është e gjatë.

Gjatë qëndrimit tonë në organizatë hynë e dolën disa nga personat që marrin ndihma aty. Pothuajse të gjithë Edita i përshëndet në emër, ua di hallet e nevojat dhe përpiqet t’u bëjë zgjidhje.

“Gjithçka ka nisur me një grup në ‘Facebook’. Kemi filluar të grumbullojmë ushqimin e veshmbathjen për familje të caktuara dhe t’i dorëzojmë tek ta. Pastaj e pashë që grupi po rritet dhe vendosa këtë ta regjistrojë si organizatë. Grupi ekziston tash e dy vjet dhe numëron rreth 16.000 anëtarë”, tregon Edita.

Mes të gjithë këtyre anëtarëve natyrisht se ka më të angazhuar që ndihmojnë Editën në identifikimin e familjeve, në klasifikimin e sistemimin e ndihmave, siç është mikja dhe kolegia e saj Anisa Ismaili,Blerina Lila, Diana Spanca, Lirie Aliu, Fitore Mucaj, Elvana Murati, Mimoza Murseli, Vezir Ramushi, Besnik Bllaca, Linda Duraku e të tjerë.

Fokusi i saj janë nënat vetushqyese, pasi konsideron se si kategori janë më së tepërmi të injoruara si nga institucionet, ashtu edhe nga shoqëria.

Në aksionin e këtij fundviti te “Nëna dhe fëmijë të lumtur” janë mbledhur rreth 750 dhurata, të cilat janë shpërndarë në Spitalin Infektiv, në Gjilan, Skënderaj, e tek familjet të cilat ajo i ka regjistruar në databazën e saj, ku gjenden rreth 400 sosh. Ajo kujdeset t’i regjistrojë të gjithë personat që marrin ndihmë në organizatën e saj, por edhe ata që dhurojnë. Në këtë listë ka kryesisht familje nga kryeqyteti, por nuk mungojnë as nga anët e tjera të Kosovës.

 

“Grupin në ‘Facebook’ e përdorim për të gjitha njoftimet. Aty njoftojmë për gjithçka që kemi nevojë dhe anëtarët e grupit mobilizohen për të sjellë ushqim, rroba, orendi shtëpiake apo çfarëdo që një familje e caktuar ka nevojë”, tregon Edita, duke shtuar se shpesh këtyre familjeve u gjenden edhe me rroba për festa të maturës e për ngjarje më të veçanta. Edhe ajo vetë mbetet e impresionuar nga solidarizimi që njerëzit shfaqin në këtë grup.

Kjo organizatë është bërë për adresë për të dyja palët, ata që kanë vullnetin të dhurojnë dhe palën tjetër që kanë nevojë të përkrahen.

Momentalisht angazhimi në këtë organizatë ia merr aktores shumicën e kohës. Kjo po e mban atë larg skenës, por jo larg njerëzve që e admirojnë. Të gjithë që kanë punë me të e vlerësojnë jashtëzakonisht shumë angazhimin e saj edhe pse ajo është fjalëpakë dhe nuk flet shumë në vetën e parë. Tërë energjinë e fokuson te nevojat dhe te problemet e njerëzve që trokasin në derën e saj.

Aktualisht e gjithë kjo punë po bëhet në baza vullnetare. Siç tregon Dula, vetëm lokalin ku është vendosur po e shfrytëzon pa qira, me autorizimin e Ndërmarrjes Publike Banesore qe e dhuroi Nexhat Kryeziu, teksa po pret të gjejë përkrahje të tjera.