Diskursi alegorik dhe diktatura

Kultura November 05, 2017 - 17:22

Adil Olluri

Në disa romane bashkëkohore shqiptare, që na flasin për diktaturën, hasim një tip të diskursit alegorik, si një mënyrë e ndërtimit të strukturës dhe rrëfimit të tyre.

Pozicionimi alegorik ju jep atyre një ngjyresë të veçantë stilistike dhe i bën tërheqëse për lexim dhe interpretim. Alegoria, si figurë dhe mënyrë ligjërimore, është një figurë që i shkon për shtati gjuhës së prozës, sikurse simboli e metafora gjuhës së poezisë.

Ndër romanet që do të donim t’i veçonim për ngjyrimin alegorik të tekstit të tyre, janë “Pallati i ëndrrave” (I. Kadare), “Vdekja e Akanit” (A. Demolli), “Odin Mondvalsen” (K. Trebeshina),  dhe “Kohë të kauçukta” (B. Frangu).

Romani “Vdekja e Akanit” i Arif Demolli, njërit prej prozatorëve shqiptarë më nivel të lart estetik,  është një tekst që flet për një diktaturë veprimi, përmes një rrëfimi të mbështjellë me gjuhë alegorike. Ai është një nga veprat më të mira narrative të letërsisë bashkëkohore shqiptare. Te kjo vepër tema e diktaturës është e pranishme dhe e parë në një perspektivë tepër të veçantë.

Është e parë nga këndi i diktatit të mendimit e të veprimit, si diktaturë religjioze e politike, si një sistem totalitar tejkohor e universal. Pra, për diktaturën konkrete komuniste nuk flitet me të njëjtën ngjyrë stilistike, sikurse në shumë vepra që e kanë këtë tematikë. Për të aludohet, nxirret si e tillë përmes leximit dhe interpretimit, siç mund të lexohet dhe interpretohet si rrëfim për secilën diktaturë të mundshme politike.

Personazhi kryesor, Akani, e pëson nga diktati i vendosur nga paria e Izrarelit, që i kishte dhënë mbretit Joshua pushtet absolut. Mbreti kishte krijuar një logjikë terrorizuese në udhëheqjen, duke e parë secilin të dyshimtë e fajtor të mundshëm. Kishte ndërtuar një sistem të përgjimeve (shërbimi i fshehtë i mbretit) përmes së cilit i torturonte qytetarët që nuk i përshtateshin.

Pra, një aludim me shërbimet famëkeqe të sistemeve totalitare të shekullit që lamë pas. Mbreti Joshua kishte krijuar një psikozë kolektivë të frikës te njerëzit e vendit të tij. Ai ishte në luftë me të gjithë qytetet dhe vendet përreth, që i konsideronte armiq dhe vetëm popullin izraelit si “popull të zgjedhur të Jehovajit”. Pra, mbreti Joshua është një shëmbëlltyrë alegorike e diktatorëve modernë.

Akani ishte ushtar besnik i mbretit, por nuk e duronte këtë gjendje të krijuar nga ai. Ai kishte filluar të fliste hapur dhe ta kundërshtonte mënyrën se si udhëhiqte i pari i vendit. Së pari mendimet e tij ia kishte thënë gruas së tij të bukur, Tamarës, e pastaj mikut të tij të afërt, Dajanit. Akani ndihet i vetmuar e i pa përkrahur nga qytetarët rreth kauzës së tij. Këtë më së miri e ilustron ky paragraf: 

“Ç’po nxehesh kot së koti? Ti je një, Akan. Një njeri i vetëm. Një individ. Nuk mund të ndryshosh gjë, jo vetëm të flasësh këtu, por edhe të dalësh e të bërtasësh me tërë gurmazin nëpër kamp. Edhe po të dalësh, o do të merrnin për budalla, o do të vrisnin në vend. Je tepër ëndërrimtar, Akan. Vetë populli do të të vriste. Ai është mësuar me këtë jetë të mjerë e kriminale. I janë futur në gjak të këqijat. I është bërë shprehi të nënshtrohet, të vras, t’i besojë mbretit dhe Jehovajit. Nuk mund ta marrë me mend jetën pa ndonjërin prej tyre, Akan.”

Parashikimi i mikut të tij edhe ndodhi. Njerëzit e vendit ishin aq shumë të dërrmuar e të frikësuar, sa që tashmë ishin mësuar me këtë lloj jete nën diktat dhe duke i tumirur krimet që i bënte kreu i tyre. Akanin e arrestojnë përmes “fakteve të fabrikuar”, siç zakonisht ngjet në sistemet totalitare, dhe e vrasin me ndihmesën kruciale të vetë popullit.

Ky roman ka një relacion intertekstual me Biblën, konkretisht Dhjatën e vjetër, prej së cilës merret amëza tematike, për të na dhënë një tekst të ri, siç është ky rrëfim mjaft intrigues i mjeshtrit të prozës, Arif Demollit.

Pallati i ëndrrave i romanit me të njëjtin titull, të shkruar nga shkrimtari me nam të përbotshëm, Ismail Kadare, është një krijim alegorik i një toposi narrativ, përmes së cilit flitet në mënyrë alegorike për mekanizmat thelbësor të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Përmes Tabir sarajit (Pallatit të ëndrrave) aludohet në Sigurimin e Shtetit gjatë kohës së diktatit të kuq në Shqipëri.

Gjatë leximit dhe përimtimit të këtij romani na duket se jemi brenda godinës së këtij sigurimi, ani pse rrëfimi në dimensionin e tij të parë ligjërimor na dërgon shumë shekuj prapa në Tabir sarajin e monarkisë së otomanëve, që nuk është tjetër, pos një stisje nga mendja kreative e shkrimtarit Kadare. Pra, kemi një diskurs alegorik që hetohet që në lexim të parë të kësaj vepre narrative. Ismail Kadare, emër i përveçëm i letërsisë shqipe, i njohur në dhe i përkthyer në mbi tridhjetë gjuhë botërore, ka shkruar një varg romanesh që edhe sot e kësaj dite lexohen me ëndje dhe me interesimin e pasosur të lexuesit tonë dhe të atij të huaj.

Është thënë dhe është shkruar se ai nuk është shkrimtar eksperimentues, por shkrimtar që vazhdon ta ruaj fabulën, ta ndërtojë kompozicionin e fortë, ta ketë rrëfimin realist dhe përshkrimin detajist, duke u vënë në paralele krahasimi, sa i përket këtij aspekti, me të mirënjohurit e letërsisë së përbotshme, si G. G. Markez, M. Vargas Llosa, G. Gras etj. Gjithashtu, për shkak të rrethanave të krijimit, ai është vënë edhe në paralele të tilla me shkrimtarët disidentë, si M. Kundra, A. Solzhnjecin, B. Pasternjak etj, duke u cilësuar edhe si një lloj “arketip” botëror, që bëri art nën kushtet e një prej sistemeve më drastike dhe që fatmirësisht e kemi gjallë edhe sot mes nesh.   

Sikurse Pallati... i Kadaresë edhe Vajazani i dy romaneve të Rexhep Qosjes (“Vdekja...” dhe “Një dashuri...) është një stisje kreative nga një krijues me erudicion mendimi dhe potencë të madhe në mbarështrimin narrativ të asaj që e thotë. Vajazani është një topos identifikues i këtij autori dhe mund të lexohet edhe si krijim alegorik, por edhe si një kreacion metaforik.

Në të dy romanet e Qosjes rrëfimi zhvillohet në të njëjtin vend, Vajazan, që është figurë simbolike, përmes të cilës konotohet Prishtina, por edhe Kosova në përgjithësi. Vajazani është një kompozitë stilistike e përbërë nga fjalët Vaj-a-zan, që i nënkupton vajet dhe zërat e qytetit apo vendit.

Gjithashtu, si kreacion alegorik mund ta interpretojmë edhe Fabrikën e kukullave në romanin “Kohë te kauçukta” të Bardh Frangut. Kjo fabrikë, si prodhim kreativ i këtij autori, lirisht mund të deshifrohet nën prizmin e një zbërthimi alegorik.

Fabrika në rrëfimin e Frangut ndërtohet në një fshat duke i shpronësuar tokat e vendasve (shpronësimi, kolektivizimi, marrja e pronës dhe identitetit). Ideatorët e saj dëshirojnë ta mbajnë atë në këmbë, por ajo në fund shkatërrohet, bie përtokë. Pra, një ndërtim alegorik i rrëfimit rreth një fabrike, përmes së cilës shënjohet mënyra e ngritjes, mënyra e funksionimit dhe rënia e shtetit federativ jugosllav. Pra, nga ky kënd, mund ta lexojmë edhe rrëfimin si të tillë, duke pasur parasysh se secili studiues a lexues mund ta këtë mënyrën e tij të vrojtimit dhe interpretimit. (Fragment nga libri studimor në dorëshkrim: “Fytyra e tiranisë: Rrëfimi për diktaturën në romane bashkëkohore shqiptare”)