Jeta kulturore nga festivali në festival

Kultura August 01, 2017 - 08:52

Jeta kulturore e vendit, sidomos gjatë stinës së verës, sillet vetëm rreth festivale. Edhe gjatë muajit gusht, në të cilin sapo kemi hyrë, shumë data janë rrethuar për aktivitete të tilla, shkruan sot, gazeta Zeri.

Më datë 4 gusht nis në Prizren festivali që konsiderohet si ngjarja kryesore e kulturës në vend, “DokuFest”. Për dhjetë ditë ky qytet për të gjashtëmbëdhjetën herë me radhë do të bëhet nikoqir i qindra filmbërsëve, artistëve e dashamirëve të kinematografisë. Në disa kinema, të hapura e të mbyllura, do të shpaloset programi filmik i këtij viti kurse mbrëmjet e “DokuFest”-it do të mbyllen me programin muzikor të ndejave që mbahen në parkun “Andrra” të Marashit.

Ky edicion i “DokuFest” premton një vështrim të guximshëm në pasiguritë dhe shpresat e së ardhmes përmes një kombinimi të programit të filmave, ekspozitave vizuele, masterklasave dhe bisedave të ndryshme, punëtorive bashkëpunuese, koncerteve muzikore si dhe paltformave për përdorimin e mediave dhe teknologjive të reja.

Sipas organizatorëve, ideja për temën e këtij edicioni erdhi sepse në vitet e fundit ka pasur lëvizje të mëdha nga qytetarë që përpiqen të kenë një zë më të fortë për të ardhmen e tyre. “Programi ynë do të jetë një vështrim mes distopive dhe utopive, kufijve dhe çiltërsisë, frikës dhe dashurisë”, thonë ata.

Ende pa përfunduar “DokuFest”, më 11 gusht nis një festival tjetër. Në fshatin Kukaj, i cili ndodhet vetëm disa kilometra larg Prishtinës, dikur i braktisur nga banorët e tij, nis edhe një edicion i Festivalit tashmë tradicional, “EtnoFest”. Këtë vit festivali do të mbahet nga data 11 gusht deri më 3 shtator, gjatë fundjavave.

Është viti i shtatë që Festivali “EtnoFest” mundohet t’i prezantojë publikut shqiptar dhe atij  rajonal, mediave të shkruara dhe atyre elektronike vlera nga më të ndryshmet e nga më të vjetrat, nga fushat e të gjitha arteve dhe kulturës që në një formë apo tjetër lidhen me traditën, për të ndihmuar sadopak në konstituimin dhe pasurimin e zinxhirit të trashëgimisë sonë shpirtërore dhe materiale.

Mesi i gushtit na sjellë një festival të filmit të animuar. Peja organizon kështu për herë të tetë Festivalin “Anibar” dhe “Kthimi i së drejtës mbi qytetin” është përzgjedhur si temë e Festivalit të sivjetmë. Sivjet ky Festival sjell rreth 300 filma në disa kinema të vendosura nëpër Pejë, përfshirë këtu edhe kinemanë “Jusuf Gërvalla”, rreth funksionimit dhe privatizimit të së cilës pati shumë polemika dhe diskutime vitin e fundit. Për vite tashmë, “Anibar” ka arritur një pozitë të dukshme në portofolin kulturor të Kosovës. Është bërë pothuajse një dekadë pune e palodhshme dhe përkushtimi ndaj rezistimit të pasivitetit kulturor dhe mungesës së llojllojshmërisë në arte dhe kulturë.

Në anën tjetër, fillimi i shtatorit na sjell festival të një natyre tjetër. Prej 7 e deri më 10 shtator mbahet Festivali i vjelës së rrushit në Rahovec, “Hardh Fest”.

Me sloganin “Mbas verës, vjen vera” festivali “Hardh Fest” këtë vit do të sjellë shumë risi dhe atraksione vreshtare, verëtare, turistike dhe kulturore. Si çdo vit edhe sivjet për ide të sloganit e Hardh Fest është përkujdesur dizajneri Agi Haxhimurati. Festa e vjeljes së rrushit, “Hardh Fest”, edicionin e kaluar shënoi një sukses të madh, ku numri i pjesëmarrësve arriti mbi 32 mijë vizitorë nga mbarë bota. Me ketë Festival dhe bashkë  me temperaturat e nxehta duket se mbarojnë edhe aktivitetet e tilla.

Në anën tjetër, publiku kosovar la pas vetës disa festivale që në pjesën e parë të kësaj vere mbyllen me sukses edicionet e tyre. Rikujtojmë se u mbajt “Festivali i Arkitekturës në Kosovë”, Festivali i muzikës në Prizren, “Ngom Fest”, Festivali ndërkombëtar i filmit, “PriFilmFest”, festivali i muzikës në Pejë, “Into the Park” dhe ai i Mitrovicës, “Green Festival”, sikundër që këto ditë përfundoi Festivali i teatrove "Teatri ndryshe", në Podujevë./Zeri/.