Evropa Mbretëreshë dhe Arbëria

Kultura October 09, 2016 - 08:55

Kjo është një hartë e vjetër e Evropës e shekullit te XVI, e cila është vepër e humanistit Heinrich Bünting dhe është realizuar ne vitin 1582.

Harta mban titullin Europa Regine (Europa Mbretëreshë)dhe sipas traditës klasike është e paraqitur si grua e kurorëzuar mbretëreshë.

Ne fakt, në mitologji Evropa paraqitet si një vajzë e re, një princeshë, bijë e mbretit mitik Agenor, e cila u rrëmbye nga Zeusi i shndërruar në dem dhe që humbi gjurmët e saja diku në atë që quhet sot Evropë.

Harta e Buntingut, e cila mbështetet mbi një paraqitje më të hershme të saj nga hartografi Johannes Putsch, e vitit 1537, paraqet mes atyre pak vendeve evropiane, edhe Arbërinë (Albania), e cila gjatë asaj epoke kishte emër të madh në Europë, si rezultat i rezistencës antiosmane.

Kjo hartë ndodhet ne hollin e Parlamentit Evropian dhe është shprehje simbolike e bashkimit të kontinentit tonë, qysh me fillimin e epokës moderne (e cila fillon me Rilindjen Evropiane). Arbëria në mesjetë nuk ishte e njohur vetëm nga rezistenca antiosmane, pasi harta me përfshirjen e saj, respekton një mit të vjetër të kontinentit tonë.

Një nga vëllezërit e Europës ishte Kadmi, themeluesi i Tebës( Thiva e sotme në Greqi). Ai u vu në ndjekje të motrës së vet dhe pasi nuk e gjeti, u ndal duke themeluar qytetin e Thives.

Ai konsiderohet si shpikësi i alfabetit grek dhe ndërtuesi i mureve të mëdhenj të qytetit.

LEXO EDHE: Shoqëria që rrënohet shpirtërisht e ka vështirë të rimëkëmbet

Sipas Bibliotheca, libër që përmblidhte në tre vëllime, gjithë mitet e antikitetit, botim shekullit të II pas Krishtit, në moshë të madhe ai u tërhoq nga pushteti si mbret i Thivës dhe së bashku me Harmoninë, duke u shndërruar në gjarpërinj, u vendosën në brigjet e liqenit të Lyhnidës (liqeni i sotëm i Ohrit).

Nga martesa e tyre lindi një djalë Illyrion, që u bë paraardhësi i gjithë fiseve ilire.

Iliria dhe Arbëria ishin pjesë përbërëse e memories kulturore dhe historike të qytetërimit evropian, ndaj Arbëria, imazhi i së cilës qe përforcuar dhe nga betejat e Gjergj Kastriot Skënderbeut, zë një vend të rëndësishëm në hartë.

Miti i Evropës, i ngjizur këtu në Ballkan, ku ajo e gënjyer nga Zeusi i shndërruar në një dem, pranon t’i hipi sipër për të rendur me të, duke mos marrë kështu vetëm një vendim personal, por duke filluar dhe bazat e një ideje evropiane që do ngazëllonte dijetarë të shumtë që nga Herodoti e deri tek etërit e Evropës së bashkuar, vazhdon të gjallojë në idenë evropiane të kontinentit.