Shën Tereza

Shën Tereza

Kultura shtator 05, 2016 - 08:27

E diela, një ditë me diel, u bë ditë e shënuar për shqiptarët dhe për njerëzimin në përgjithësi. Në Vatikan, në sheshin Shën Pali u bë shenjtërimi i Nënës Terezë. Mijëra qytetarë nga mbarë bota, në mesin e tyre edhe shumë shqiptarë, janë mbledhur të dielën e 5 shtatorit në sheshin Shën Pali për të marrë pjesë në shenjtërimin e Nënës Terezë.

Gjithë natën e së shtunës pelegrinët e ardhur në Vatikan janë lutur pranë kishave, ndërsa mëngjesin e së dielës janë nisur për të mbushur sheshin Shën Pali nën masa të rrepta sigurie.

Është vlerësuar se në këtë akt shenjtërimi kanë marrë pjesë mbi njëqind mijë veta.

Ati i Shenjtë Papa Françesku, duke ndjekur shembullin e Nënës Terezë ka shpërndarë pica për 1500 të pastrehë, të cilët ishin tubuar për këtë rast. Të pastrehët që jetojnë nëpër strehimoret e bëra nga Nëna Terezë , me autobusë kanë ardhur nga anë të ndryshme të Italisë në këtë ngjarje të madhe edhe për ta.

Mesha për shenjtërimin e Nënës Terezë është shoqëruar edhe me fjalë shqip, gjë kjo e cila u ka dhënë hijeshi edhe flamujve me shqiponjë që nuk ishin të pakët në sheshin Shën Pali, në Vatikan.

Shën Tereza pjesën më të madhe të jetës dhe aktivitetit të saj e kaloi në Kalkutë të Indisë duke i ndihmuar të varfrit dhe të sëmurët, ku edhe vdiq më 5 shtator të vitit 1997, në moshën 87 vjeçare. Në vitin 1979 mori çmimin Nobel për Paqe.

Në vitin 2003 u lumturua, ndërsa 13 vite pas edhe u shenjtërua.

Për nder të kësaj dite Ipeshkëvia e Kosovës të shtunën ka organizuar një koncert në bazilikën e Shën Palit në Vatikan, ku kanë marrë pjesë disa nga emrat më të njohur të kulturës shqiptare. Manifestimi është përkrahur nga Qeveria e republikës së Kosovës. Në këtë koncert dhe në meshën e shenjtërimit kanë marrë pjesë udhëheqësit shtetërorë nga Kosova dhe Shqipëria.