U prezantua rrejshëm si punonjës i AKI-së, arrestohet i dyshuari
Arrestohet një person i dyshuar për mashtrim, dyshohet se u prezantua rrejshëm si punonjës i AKI-së
Policia e Kosovës ka njoftuar se në koordinim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë, kanë ndërmarrë veprime hetimore lidhur me një rast të dyshuar të mashtrimit të raportuar në tetor të këtij viti.
Në njoftim bëhet e ditur se sot është arrestuar personi D.N, i cili dyshohet se nga fillimi i vitit 2025 e deri në raportimin e rastit, ishte prezantuar rrejshëm si punonjës i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, duke i kërkuar shuma të ndryshme parash në këmbim të punësimit në këtë institucion.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, për procedura të mëtejshme ligjore.
“Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet përkatëse, mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe hetimin e veprave penale, si dhe në mbrojtjen e qytetarëve nga mashtrimet dhe keqpërdorimi i besimit të tyre”.
“I bëjmë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes ndaj personave që pretendojnë se mundësojnë punësim në institucione publike në këmbim të parave dhe që rastet e tilla t’i raportojnë në Policinë e Kosovës”, thuhet në njoftim.