Dënohet me 22 vjet burgim burri në Klinë, që vrau fqinjin e tij
Foto: Laura Hasani

Dënohet me 22 vjet burgim burri në Klinë, që vrau fqinjin e tij

Kronika October 15, 2026 - 12:05

Gjykata Themelore në Pejë ka shqiptuar dënim unik prej 22 vjetësh burgim ndaj të pandehurit A.N., i shpallur fajtor për tri vepra penale, duke përfshirë “Vrasjen” dhe “Vrasjen e rëndë në tentativë”.

Aktgjykimi është shpallur nga Departamenti i Krimeve të Rënda, me trupin gjykues të kryesuar nga Musë Povataj, me anëtarët Veton Ademaj dhe Shaqë Curri.

Sipas aktgjykimit, për veprën penale të “Vrasjes” të pandehurit i janë shqiptuar 19 vjet burgim. Për veprën penale të “Vrasjes së rëndë në tentativë” ai është dënuar me pesë vjet burgim, ndërsa për “Mbajtje, kontroll ose posedimin i paautorizuar i armëve”, me një vit burgim.

Pas shqiptimit të dënimeve individuale, Gjykata ka caktuar dënimin unik prej 22 vjetësh burgim.

Po ashtu, Gjykata ka urdhëruar konfiskimin e armëve dhe municionit të sekuestruar, ndërsa ka vendosur vazhdimin e paraburgimit ndaj të pandehurit deri në marrjen e formës së prerë të aktgjykimit, por jo më gjatë se dënimi unik i shqiptuar.

M.A. dyshohet se u vra nga fqinji i tij, tashmë i dënuari A.N., në prill të vitit 2022. Vrasjes dyshohet se i parapriu një zënkë mes disa familjarëve të viktimës dhe të dyshuarit që eskaloi në rrahje e më vonë rezultoi të jetë edhe fatale.

Mësohet se familjari i të dyshuarit në kohën kur ndodhi vrasja ishte duke u intervistuar nga policia në cilësinë e viktimës për rrahje.