Gjendet vetura e të dyshuarit për vrasjen e 29-vjeçarit në Pogragjë të Gjilanit
Është gjetur vetura e personit të dyshuar për vrasjen e djalit të tij 29-vjeçar në fshatin Pogragjë të Gjilanit.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
I pyetur për vendndodhjen e veturës, Hashani ka bërë të ditur se ajo është gjetur në fshatin Sllubicë, jo larg shtëpisë së të dyshuarit.
“Është gjetë jo larg shtëpisë së tij, por në fshatin Sllubicë”, ka deklaruar Hashani.
Ndërkohë, vrasja ka ndodhur të dielën në mbrëmje në fshatin Pogragjë të Gjilanit.
Pavarësisht gjetjes së veturës, i dyshuari, babai i viktimës, ende ndodhet në arrati. Policia po vazhdon kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se me datën 11.10.2026, rreth orës 19:20 nga Policia e Kosovës-NJHP në Gjilan është njoftuar Prokurori i Shtetit, se në fshatin Pogragjë, komuna e Gjilanit, ka ndodhur një rast i rëndë, nën dyshimin se i dyshuari R.A. (53 vjeç) nga fshati Pogragjë, Komuna e Gjilanit, për motive akoma të pa njohura, me armë ka privuar nga jeta djalin e tij, tani të ndjerin B.A. (29 vjeç).
Sipas njoftimit për media, në vendin e ngjarjes kanë marrë pjesë të gjitha ekipet relevante Policore, si dhe prokurori i Shtetit, ku janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, me qëllim të zbardhjes së rastit. Gjithashtu, është kryer kontrolli i shtëpisë së të dyshuarit R.A., ku gjatë kontrollit dhe ekzaminimit të vendit të ngjarjes janë sekuestruar 3 (tri) pushkë gjuetie me leje - afat të skaduar. /telegrafi