Po hynte nga Serbia në Kosovë, policia gjen 30 mijë euro në një veturë në Bërnjak

Po hynte nga Serbia në Kosovë, policia gjen 30 mijë euro në një veturë në Bërnjak

Kronika October 08, 2026 - 13:40

Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë parandaluar tentativën për futjen e 30 mijë e 550 eurove të padeklaruara në territorin e Kosovës.

Rasti është zbuluar më 7 tetor në pikën kufitare Bërnjak, gjatë kontrollit të një automjeti me targa të huaja, i cili po hynte në Kosovë, transmeton Zeri.info.

Sipas Doganës, gjatë intervistimit udhëtari kishte deklaruar se nuk kishte mjete monetare për të deklaruar. Megjithatë, zyrtarët, pas dyshimeve të krijuara gjatë kontrollit, kanë kontrolluar automjetin dhe udhëtarin.

Në një hapësirë të fshehtë në dyshemenë e automjetit janë gjetur 30 mijë e 550 euro në para të gatshme, të cilat nuk ishin deklaruar.

Dogana ka rikujtuar se, sipas Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, çdo person që hyn ose del nga Kosova dhe bart 10 mijë euro ose më shumë është i obliguar ta deklarojë shumën dhe burimin e saj të verifikueshëm pranë zyrtarit doganor. /Zëri