Kërkohet masa e sigurisë prej një muaji për të dyshuarit për fajde në Prizren

Kërkohet masa e sigurisë prej një muaji për të dyshuarit për fajde në Prizren

Kronika September 30, 2026 - 19:06

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy personave të dyshuar për fajde, ndërsa njëri prej tyre dyshohet edhe për detyrim dhe posedim të paautorizuar të armës.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri me inicialet V.H. dyshohet se gjatë periudhës nga viti 2025 deri më 29 shtator 2026, në Prizren, u ka dhënë para me kamata të larta personave që ndodheshin në gjendje të rëndë financiare dhe personale, duke përfituar shuma dukshëm joproporcionale në raport me paratë e dhëna.

Prokuroria thotë se i dëmtuari në këtë rast kishte marrë para me kamatë mujore prej 20%.

“Vetëm në emër të kamatave dhe kamatëvonesave, pa llogaritur borxhin bazë, i dëmtuari ka paguar shuma të konsiderueshme, dhe atë shumën në total prej 56,200 euro”, theksohet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas hetimeve, më 29 shtator, pas një takimi me të dëmtuarin në një lokal në fshatin Krushë e Madhe, dy të dyshuarit kanë hyrë në një automjet, ku i dëmtuari dyshohet se i ka dorëzuar V.H.-së 15 mijë euro në emër të kamatave.

“Në atë moment kanë ndërhyrë zyrtarët policorë dhe dy të pandehurit janë arrestuar në flagrancë”, njofton Prokuroria.

V.H. dyshohet gjithashtu se në vazhdimësi ka ushtruar presion dhe kanosje ndaj të dëmtuarit, duke i kërkuar pagesën e shumave të konsiderueshme në emër të kamatave dhe borxhit. Sipas Prokurorisë, këto veprime i kanë shkaktuar të dëmtuarit “frikë, ankth, pasiguri dhe shqetësim për jetën e tij”.

Ndërkaq, D.E. dyshohet se ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale të fajdesë. Sipas Prokurorisë, ai ka pranuar në emër të tij pagesa të kamatave të bëra nga i dëmtuari përmes një institucioni mikrofinanciar dhe më pas dyshohet se ia ka dorëzuar këto para V.H.-së.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e V.H.-së, policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe një pushkë me dylbi. Prokuroria thotë se për këtë armë i dyshuari nuk posedonte leje valide nga organi kompetent.

V.H. po hetohet për veprat penale “Fajdeja”, “Detyrimi” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa D.E. dyshohet për “Fajdeja në ndihmë”.