Aktakuzë ndaj personit që dyshohet se po përgatiste një vrasje të rëndë në Prishtinë

Aktakuzë ndaj personit që dyshohet se po përgatiste një vrasje të rëndë në Prishtinë

Kronika June 25, 2026 - 15:21

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj personit me inicialet E.H., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Përgatitja e veprës penale ‘Vrasje e rëndë’”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, aktakuza është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Në aktakuzë thuhet se E.H. dyshohet se, pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme me të dëmtuarin M.D., kishte planifikuar privimin e tij nga jeta.

Sipas Prokurorisë, planifikimi përfshinte marrëveshje për pagesë financiare, koordinim për mënyrën, kohën dhe vendin e kryerjes së veprës, si dhe sigurimin e armës që do të përdorej për realizimin e saj.

Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor, i pandehuri të shpallet fajtor dhe ndaj tij të shqiptohen sanksionet e parapara me legjislacionin në fuqi. /Zëri