Shqipëria ekstradon në Kosovë një të dënuar për trafikim armësh
Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor dhe në koordinim me njësitë relevante policore dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar sot transferimin e një shtetasi kosovar nga Shqipëria në Kosovë përmes pikës kufitare në Morinë.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, personi në fjalë ishte dënuar në Shqipëri me pesë vjet burgim për veprën penale “Trafikim i armëve dhe municionit”.
"Pas transferimit, ai i është dorëzuar Shërbimit Korrektues të Kosovës për vuajtjen e pjesës së mbetur të dënimit, pasi një pjesë të tij e kishte kryer në Shqipëri", thuhet në njoftmin e PK-së.
Policia ka bërë të ditur se transferimi është realizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi, marrëveshjet dypalëshe dhe bashkëpunimin ndërinstitucional ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe Shqipërisë.
“Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale, si dhe gjurmimin, kapjen dhe arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në njoftimin e PK-së. /Zëri