Arrest shtëpiak për anëtarin e KQZ-së në Prizren, dyshohet se fshehu gjashtë fletëvotime
Gjykata Themelore në Prizren, përmes Departamentit për Krime të Rënda, ia ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji të pandehurit A.D., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Asgjësimi i materialeve të votimit”.
Sipas vendimit të Gjykatës, thuhet se masa do të jetë në fuqi deri më 7 korrik 2026, raporton Zeri.info.
“Gjatë kësaj periudhe, i pandehuri nuk guxon të largohet nga vendbanimi pa lejen e gjykatës dhe i ndalohet kontakti me persona që nuk jetojnë ose nuk janë të varur prej tij. Gjykata ka paralajmëruar se, në rast të shkeljes së masës së arrestit shtëpiak, ndaj të pandehurit do të caktohet masa e paraburgimit. Mbikëqyrja e zbatimit të masës do të bëhet nga Stacioni Policor në Prizren, i cili mund të kryejë verifikime në çdo kohë dhe ta njoftojë gjykatën për çdo shkelje të mundshme. Sipas dosjes së rastit, ekziston dyshimi i bazuar se më 7 qershor 2026, A.D., në cilësinë e anëtarit të KQZ-së në qendrën e votimit në shkollën ‘Sharri’ në Jabllanicë të Prizrenit, ka marrë dhe fshehur gjashtë fletëvotime të paplotësuara, duke i shkëputur ato nga blloku i fletëvotimeve”, thuhet në njoftim.
Me këtë rast Prokuroria kishte kërkuar caktimin e paraburgimit, por gjyqtarja e procedurës paraprake e ka vlerësuar këtë kërkesë si të pabazuar, duke konstatuar se masa e arrestit shtëpiak është e mjaftueshme për të siguruar praninë e të pandehurit dhe zhvillimin e papenguar të procedurës hetimore.
“Gjykata ka theksuar se pretendimet ndaj të pandehurit do të vlerësohen në fazat e mëtejme të procedurës penale”, thuhet në njoftim. /Zëri