Arrestohet prishtinasi për keqpërdorim, falsifikim dokumentesh dhe mashtrim në prokurim publik
Foto: Laura Hasani

Arrestohet prishtinasi për keqpërdorim, falsifikim dokumentesh dhe mashtrim në prokurim publik

Kronika June 04, 2026 - 18:11

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se, në koordinim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë, pas zhvillimit të veprimeve hetimore lidhur me dyshimet për keqpërdorimin dhe mashtrimin në një aktivitet prokurimi për furnizime me pajisje në Policinë e Kosovës, sot është arrestuar një (1) person.

Sipas njoftimit të PK-së thuhet se në bazë të dyshimeve fillestare, i dyshuari me inicialet N.R, po hetohet për veprat penale: Keqpërdorimi dhe Mashtrimi në Prokurim Publik nga neni 415 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe Falsifikimi i dokumenteve nga neni 390 të KPRK-së.

'Arrestimi është realizuar nga Policia e Kosovës, ndërsa me urdhër të prokurorit të shtetit, personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë.Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me institucionet e tjera përkatëse, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit, si dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me ligjin në fuqi'. thuhet në njoftimin e PK-së. /Zëri