Operacioni “The Wanted”, arrestohen në Dubai pesë shqiptarë të kërkuar nga SPAK-u
Interpol Tirana ka vijuar operacionin e koduar “The Wanted”, në kuadër të kapjes dhe ekstradimit të shtetasve shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Si rezultat i shkëmbimit të informacionit me autoritetet homologe në Abu Dhabi, janë lokalizuar dhe arrestuar në Dubai pesë shtetas shqiptarë, me qëllim ekstradimin e tyre drejt Shqipërisë.
Sipas njoftimit zyrtar, katër prej të arrestuarve, konkretisht shtetasit me iniciale K. Q., 44 vjeç, Sh. K., 44 vjeç, I. L., 30 vjeç dhe A. P., 38 vjeç, dyshohen për përfshirje në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe kërkoheshin nga SPAK.
Ndërkohë, shtetasi M. C., 34 vjeç, dyshohet për kryerjen e veprës penale të mashtrimit kompjuterik.
Autoritetet shqiptare bëjnë me dije se bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë vijon edhe për verifikimin e një tjetër shtetasi shqiptar që ndodhet në Dubai, i cili dyshohet se përdor dokumente false.
Interpol Tirana po punon për përfundimin e procedurave të ekstradimit të pesë të arrestuarve drejt Shqipërisë.