Për një javë në Prishtinë u sekuestruan katër armë zjarri dhe municion [foto]
Policia e Kosovës në rajonin e Prishtinës ka ndërmarrë disa aksione në lokacione të ndryshme të kryeqytetit.
Sipas tyre, janë realizuar 210 urdhëresa të gjykatës, prej tyre 32 urdhëresa për vepra penale, ndërsa të tjerat për kundërvajtje, seanca, verifikime etj.
“Në përputhje me urdhëresat, pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa personat e dënuar me gjobë janë liruar, pasi të njëjtët kanë kryer obligimet e caktuara në urdhëresa”, thuhet në njoftim.
Përveç kësaj, aktivitetet policore kanë përfshirë edhe segmente tjera të sigurisë.
Për periudhën e njëjtë janë sekuestruar katër armë zjarri të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe municione të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm.
“Ndërkaq, në po të njëjtën periudhë kohore kanë rezultuar me shqiptimin e 5185 masave administrative me gjobë për lloje të ndryshme të kundërvajtjeve dhe shkeljeve të kodit rrugor, prej tyre 578 të evidentuara nga vetura inteligjente dhe vetura me radar mobil”, thuhet ndër të tjera. /Zëri