I mituri kapet me mbi 5 kilogramë marihuanë dhe armë zjarri në Vushtrri
Policia e Kosovës ka sekuestruar mbi 5 kilogramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë dhe një armë zjarri në Vushtrri, ndërsa ka arrestuar një person të mitur të dyshuar për këtë rast.
Sipas njoftimit të Policisë, thuhet se ngjarja ka ndodhur në orët e mbrëmjes të së premtes, derisa zyrtarët policorë po trajtonin një rast kanosjeje, raporton Zeri.info.
“Gjatë kontrollit, te i dyshuari janë gjetur dhe konfiskuar 5 kilogramë e 61.4 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, si dhe një armë zjarri e tipit pistoletë me gjashtë fishekë.Pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa ndaj tij janë iniciuar rastet penale për “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, si dhe për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Policia bëri të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit e Njësisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, të cilët së bashku me njësinë e krim-teknikës së Stacionit Policor në Vushtrri kanë kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe kanë vazhduar me veprime të tjera hetimore. /Zëri