Policia gjen armë dhe municion në një shtëpi të braktisur në Leposaviq

Policia gjen armë dhe municion në një shtëpi të braktisur në Leposaviq

Kronika March 05, 2026 - 16:26

Policia e Kosovës ka gjetur armë dhe municion në një shtëpi të braktisur në fshatin Jashanicë të komunës së Leposaviq.

Sipas policisë, gjatë kryerjes së detyrave të rregullta në rajonin e veriut, zyrtarët policorë kanë pranuar informacione se në këtë shtëpi mund të ndodheshin armë. Pas pranimit të informatës, njësitë relevante kanë dalë në vendngjarje dhe gjatë kontrollit kanë gjetur dhe sekuestruar një pushkë karabinë të tipit M48, një armë AK-47, një pushkë gjuetie, një pistoletë CZ me dy karikatorë të zbrazët, si dhe 128 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas policisë, deri më tani nuk ka persona të arrestuar, ndërsa rasti mbetet nën hetime.

Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe i ka ftuar që çdo informacion që mund të ndihmojë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike ta raportojnë në numrin 192./Zëri