Nuk pagoi alimentacion për dy fëmijët e tij, dënohet më një vit burgim ferizajasi

Nuk pagoi alimentacion për dy fëmijët e tij, dënohet më një vit burgim ferizajasi

Kronika February 12, 2026 - 15:53

Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për të Mitur, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit F.B., duke e dënuar me një (1) vit burgim për veprën penale “shmangia nga sigurimi i mjeteve për jetesë”.

Aktgjykimi është shpallur nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Shabi Idrizi, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të të gjitha provave personale dhe materiale. Sipas vendimit, dënimi me burgim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Sipas dosjes gjyqësore, F.B. akuzohet se në periudhën 12 mars 2019 – 25 janar 2023 është shmangur nga sigurimi i mjeteve të jetesës për dy fëmijët e tij të mitur, detyrim ky i përcaktuar me aktgjykim të plotfuqishëm të Gjykatës Themelore në Ferizaj.

Në bazë të këtij vendimi, i pandehuri ka qenë i obliguar që t’i paguaj ish-bashkëshortes A.B. shumën prej 150 euro për secilin fëmijë në muaj, pra gjithsej 300 euro në muaj, si alimentacion, deri në ekzistimin e kushteve ligjore. Megjithatë, sipas gjykatës, ai nuk i ka përmbushur këto detyrime, duke mos i paguar shumat e përcaktuara për ushqimin dhe mirëmbajtjen e fëmijëve.

Gjykata njofton se palët në procedurë kanë të drejtë ankese ndaj këtij aktgjykimi në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të vendimit në formë të shkruar. Ankesa mund t’i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore në Ferizaj. /Zëri