Aktakuzë për keqpërdorim në prokurim publik, dëmi 36 mijë euro
Foto: Laura Hasani

Aktakuzë për keqpërdorim në prokurim publik, dëmi 36 mijë euro

Kronika February 10, 2026 - 12:47

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj B.D., L.Z. dhe personit juridik “L.P.” SHPK për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

Sipas një njoftimi për media, sipas aktakuzës, B.D., në cilësinë e personit zyrtar, menaxherit të kontratës “Renovimi i objektit të MBPZHR-së në Prishtinë”, në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, gjatë periudhës 19.08.2024 - 31.12.2024, ka miratuar dhe vërtetuar në kundërshtim me ligjin realizmin e plotë të punimeve dhe pagesave për largimin e inventarit.

“Ndërkohë, L.Z., si person përgjegjës i ‘L.P.’ SHPK, akuzohet se gjatë ekzekutimit të kontratës ka paraqitur fakte të rreme, duke deklaruar realizim të plotë të punimeve, ndonëse punët ishin kryer vetëm pjesërisht”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu siç thuhet në njoftim si pasojë, buxhetit të Republikës së Kosovës i është shkaktuar dëm financiar prej 36.000 eurove.

“Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës që ndaj të pandehurve të shqiptohen edhe dënime plotësuese: ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, si dhe ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë apo detyrës”, thuhet në njoftim.