Aksioni në Prizren për manipulim votash, 48 orë masë ndalimi për 109 të ndaluarit
Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar opinionin publik se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, si dhe Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren, ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale kundër të drejtave të votimit.
Siç bçhet e ditur për 109 persona është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Sipas komunikatës, “pas autorizimit nga Prokuroria dhe në kuadër të këtij hetimi, pas intervistimit lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Falsifikimi i rezultateve të votimit’ nga neni 216, ‘Kanosja’ nga neni 181 dhe ‘Dhënia ose marrja e ryshfetit të lidhur me votimin’ nga neni 212 të KPRK-së, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë njëqind e nëntë (109) persona.”
Komunikata shton se, “Prokuroria Themelore në Prizren, brenda afateve ligjore, do të vlerësojë parashtrimin e kërkesës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë.”
Në këtë aksion kanë qenë të përfshirë katër (4) prokurorë të shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda, si dhe rreth dyqind (200) zyrtarë policorë.