Komisionerët e arrestuar dyshohen për falsifikim, kërcënim e ryshfet – 200 policë zhvilluan aksionin

Komisionerët e arrestuar dyshohen për falsifikim, kërcënim e ryshfet – 200 policë zhvilluan aksionin

Kronika January 23, 2026 - 16:47

Aksioni i Prokurorisë Themelore në Prizren në bashkëpunim me Policinë e Kosovës rezultoi me mbi 100 persona të arrestuar nën dyshimet për manipulime me vota, në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025.

Pas autorizimit nga Prokuroria dhe në kuadër të këtij hetimi, pas intervistimit lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, “Kanosja”,  “Dhënia ose marrja e ryshfetit të lidhje me votimin” , me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë, 109 persona.

Në operacion policor janë angazhuar rreth 200 policë, njoftoi Prokuroria.

“Prokuroria Themelore në Prizren, brenda afateve ligjore, do të vlerësojë parashtrimin e kërkesës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë. Në këtë aksion kanë qenë të përfshirë katër (4) prokurorë të shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda, si dhe rreth dyqind (200) zyrtarë policorë.”

Të ndaluarit janë komisionerë nga secila parti politike, por kryesisht nga katër subjektet më të mëdha.