Intervistohen komisionarët e të gjitha partive, disa të ndaluar në Prizren
Foto: Laura Hasani

Intervistohen komisionarët e të gjitha partive, disa të ndaluar në Prizren

Kronika January 23, 2026 - 12:49

Intervistimet lidhur me dyshimet për manipulim të votave në Prizren po vazhdojnë. Në to janë përfshirë të gjithë komisionarët, duke përfshirë ata nga partitë kryesore: LVV, PDK, LDK dhe AAK.

Burime të “Betimit për Drejtësi” bëjnë të ditur se disa persona janë ndaluar, por ende nuk ka vendime të shkruara për asnjë prej tyre që të regjistrohen me numër të saktë.

Hetimi vijon nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës, ndërsa pritet të mblidhen prova dhe të identifikohen personat përgjegjës.

Burime të “Betimit për Drejtësi” kanë konfirmuar se në kuadër të hetimeve, mbi 100 zyrtarë të angazhuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë zgjedhjeve të 28 dhjetorit janë ftuar për intervistim, ndërsa gjatë ditës pritet të ketë edhe persona të ndaluar.

Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, kishte autorizuar me shkrim Policinë e Kosovës që, me vetiniciativë, të identifikojë personat përgjegjës dhe të sigurojë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet. Këtë informacion Kryeziu e kishte konfirmuar ditë më parë për “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria Themelore në Prizren kishte bërë të ditur se ka monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të votave dhe se, teksa rinumërimi po i afrohet fundit, janë evidentuar keqpërdorime të dukshme gjatë numërimit të votave brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit.

Sipas Prokurorisë, pas rinumërimit në disa vendvotime janë vërejtur dallime mes fletëvotimeve dhe votave të numëruara për kandidatët brenda subjekteve politike, duke ngritur dyshime serioze për keqpërdorim të votave.

Prokuroria ka theksuar se manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore përbëjnë vepra penale dhe se këto raste do të trajtohen pa asnjë kompromis.