Një muaj paraburgim për 30-vjeçarin që mbyti nënën e tij në Restelicë të Dragashit

Një muaj paraburgim për 30-vjeçarin që mbyti nënën e tij në Restelicë të Dragashit

Kronika January 22, 2026 - 11:59

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj të pandehurit F.B., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”.

Aktvendimi është marrë nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Shpresa Emra, ndërsa masa e paraburgimit mund të zgjasë deri më 22 shkurt 2026. Gjykata ka vlerësuar se ekziston dyshim i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale, ndërsa vërtetimi i plotë i fakteve do të bëhet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Gjatë vendimmarrjes, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra, brenda ambientit familjar, si dhe vendosmërinë e të pandehurit për kryerjen e saj përmes ushtrimit të dhunës dhe ngufatjes ndaj viktimës.

Po ashtu, janë vlerësuar edhe karakteristikat personale të të pandehurit, duke theksuar se ai ka qenë i dënuar më herët për vepra të ngjashme, ku viktimë kishte qenë po i njëjti person, T.B. Me qëllim të mbarëvajtjes së procedurës penale dhe sigurimit të prezencës së të pandehurit në fazën fillestare të hetimeve, Gjykata ka konstatuar se masa e paraburgimit është e domosdoshme dhe e arsyeshme.

Në këtë drejtim, gjyqtarja e procedurës paraprake ka lëshuar gjithashtu urdhër që Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), përkatësisht Instituti i Forenzikës Psikiatrike, të kryejë ekzaminim psikiatrik ndaj të pandehurit, brenda një afati sa më të shkurtër, por jo më gjatë se dy javë nga dita e lëshimit të urdhrit. Pas përfundimit të ekzaminimit, raporti dhe ekspertiza do t’i dorëzohen Prokurorisë Themelore në Prizren dhe Gjykatës. /Zëri