Një muaj paraburgim për Arianit Sllamnikun

Një muaj paraburgim për Arianit Sllamnikun

Kronika January 22, 2026 - 10:11

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore dhe ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit Arianit Sllamniku, i dyshuar për kryerjen e dy veprave penale të rënda në fushën e shëndetësisë.

Sipas aktvendimit të Gjykatës, nga një periudhë e papërcaktuar kohore e deri më 20 janar 2026, në rrugën “17 Shkurti” në Gjilan, në lokalin e regjistruar si “Consulence”, i pandehuri dyshohet se ka ushtruar veprimtari të kundërligjshme mjekësore dhe farmaceutike. Ai, pa kualifikim profesional, pa licencë dhe pa autorizime ligjore, ka kryer trajtime dhe vizita mjekësore, duke u paraqitur si ofrues shërbimesh për trajtimin e autizmit.

Prokuroria njofton se i pandehuri ka rekomanduar dhe përshkruar terapi të ndryshme të pa verifikuara dhe të pa konfirmuara shkencërisht, ndonëse nuk ka pasur njohuri apo kualifikim në këtë fushë. Gjatë zbatimit të urdhër-kontrollit UGJK nr. 5/2026 nga Njësia e Hetimeve në Gjilan, në lokalin “Consulence” është gjetur edhe një dëshmitar që kishte shkuar për konsultim lidhur me trajtimin e Autizmit, si dhe medikamente të ndryshme mjekësore, të cilat janë sekuestruar.

Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, A.S. dyshohet se përmes komunikimit elektronik dhe telefonik, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin për veprimtarinë farmaceutike dhe rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ka kryer eksperimente të kundërligjshme mjekësore. Ai dyshohet se ka rekomanduar terapi farmaceutike të paverifikuara për persona të ndryshëm, kryesisht fëmijë të prekur nga spektri autik, duke përshkruar terapi të pa testuara kinse për largimin e metaleve dhe “shërimin” e Autizmit, në këmbim të pagesave financiare.

Për këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “Eksperimentet e kundërligjshme mjekësore dhe testimi i barërave”, nga Neni 257, paragrafi 1 i KPRK-së.

Gjyqtarja e procedurës paraprake ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke theksuar se masat alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale.

Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Zëri