I dyshuari nga Restelica ishte trajtuar në tri raste penale, dy herë me masa të detyrueshme psikiatrike

I dyshuari nga Restelica ishte trajtuar në tri raste penale, dy herë me masa të detyrueshme psikiatrike

Kronika January 21, 2026 - 14:05

Gjykata Themelore në Prizren ka bërë të ditur se ndaj të pandehurit Ferzidin Boza nga fshati Restelicë, komuna e Dragashit, janë trajtuar gjithsej tri raste penale në Gjykatën Themelore Prizren – Dega në Dragash, gjatë viteve të fundit, transmeton Zeri.info.

Sipas njoftimit zyrtar, rasti i parë më datë 15 korrik 2022, ka përfunduar me aktgjykim dënues për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”. Të pandehurit i është shqiptuar dënim me burgim prej 6 muajsh, i cili është pezulluar për një periudhë verifikuese prej dy vitesh, me kusht që të mos kryejë vepër tjetër penale. Në këtë rast, gjykata i ka shqiptuar edhe masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik – ambulantor në liri, në kohëzgjatje prej dy vitesh, e cila është zbatuar nga Qendra e Shëndetit Mendor në Prizren, me obligim raportimi periodik ndaj gjykatës.

Rasti i dytë, me datë 22 gusht 2022, ka të bëjë me veprën penale “Dhuna në Familje”. Edhe në këtë rast, Ferzidin Boza është dënuar me 6 muaj burgim me kusht, me periudhë verifikuese prej një viti. Po ashtu, gjykata i ka shqiptuar sërish masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri, e cila është zbatuar nga Qendra e Shëndetit Mendor në Prizren, deri në përmirësimin e gjendjes mendore, por jo më shumë se tre vjet, sipas dispozitave ligjore.

Ndërkaq, rasti i tretë me datë 17 tetor 2024, lidhet përsëri me veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”. Në këtë rast, gjykata ka shqiptuar dënim me 6 muaj burgim, ku është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 30 qershor 2024 deri më 25 shtator 2024. Me pëlqimin e të akuzuarit dhe mbrojtjes, dënimi me burgim është zëvendësuar me dënim me gjobë në vlerë prej 2,000 euro, nga e cila është zbritur shuma përkatëse e kohës së kaluar në paraburgim. Shuma e mbetur prej 260 euro duhet të paguhet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se gjatë ditës do t’i mbajë mediat të informuara për rrjedhën e mëtejme të rastit, nëse do të paraqitet kërkesë për caktimin e masës së sigurisë, si dhe për kohën e mbajtjes së seancës dëgjimore. /Zëri