Fundvit i hidhur në Kosovë, katër jetë të humbura para Vitit të Ri
Dy ditë para se kalendari të shënojë hyrjen në vitin 2026, Kosova u mbulua nga dhimbja e katër jetëve të shuara brenda vetëm 24 orëve.
Mëngjesi i së martës nisi tragjikisht në Bresje të Fushë-Kosovës, ku një burrë humbi jetën pasi u godit për vdekje nga një kamion. Një moment i vetëm, i preu rrugën jetës së tij, duke lënë pas dhimbje dhe pikëllim.
Pak më vonë flakët e një zjarri të madh përfshinë një shtëpi banimi në Prizren, duke shndërruar një vatër familjare në skenë tragjedie. Një fëmijë rreth një vjeç humbi jetën, duke mos arritur t’i shpëtojë zjarrit.
Sipas informacioneve, nëna ishte në gjumë me katër fëmijët e saj në momentin kur shpërtheu zjarri. Ajo arriti të shpëtojë me tre prej tyre të moshave 4, 6 dhe 10 vjeç, të cilët u dërguan në Emergjencën e Prizrenit dhe fatmirësisht janë në gjendje stabile.
Shkaqet e zjarrit ende nuk dihen, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet, transmeton Klankosova.tv.
Si të mos mjaftonte kjo, vetëm disa orë më pas, një tjetër lajm i rëndë erdhi nga Peja.
Në një vilë, u gjetën pa shenja jete dy të rinj, të moshave rreth 20 dhe 30 vjeç. Policia u njoftua rreth orës 15:00 dhe menjëherë doli në vendin e ngjarjes bashkë me ekipin e emergjencës, ku mjeku kujdestar konstatoi vdekjen e një mashkulli dhe një femre. Rrethanat e vdekjes së tyre mbeten ende të paqarta, ndërsa hetimet janë në zhvillim.
Brenda një dite katër jetë u shuan, duke lënë pas familje të thyera.