Policia jep detaje: Vdes një grua gjatë aksidentit në autostradën “Ibrahim Rugova”
Një grua ka mbetur pa shenja jete sot rreth orës 07:40 në autostradën “Ibrahim Rugova”.
Lajmin për Zeri.info e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
Sipas tij, bëhet e ditur se në këtë aksident kanë qenë të përfshira një mjet i rëndë transportues-kamion, me targa vendore dhe një veturë me targa të huaja.
“Sot, rreth orës 07:40, në autostradën ‘Ibrahim Rugova’, në kilometrin e 26-të ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira një mjet i rëndë transportues-kamion, me targa vendore dhe një veturë me targa të huaja. Si pasojë e aksidentit drejtuesja e veturës ka humbur jetën, ndërsa drejtuesi i kamionit ka pësuar lëndime”, ka thënë Kelani.
Ai po ashtu ka thënë se vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.
“Në vendin e ngjarjes, përveç njësive policore të cilat janë duke u marrë me rastin, kanë dalë edhe njësia e zjarrfikësve dhe njësitë relevante. Policia e Kosovës apelon për respektim të rregullave të trafikut dhe të kenë kujdes të shtuar gjatë pjesëmarrjes në trafik”, ka thënë Kelani. /Zëri