Dyshime se një prizrenasi iu mor prona me dokumente të falsifikuara, Policia nis hetimet

Dyshime se një prizrenasi iu mor prona me dokumente të falsifikuara, Policia nis hetimet

Kronika December 05, 2025 - 09:20

Policia në Prizren ka raportuar një rast të falsifikimit të dokumenteve dhe transferimit të paligjshëm të pronës, që dyshohet të jetë kryer nga persona ende të paidentifikuar.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, prona e një qytetari në Prizren është bartur te persona të tretë pa dijeninë dhe pëlqimin e tij, përmes dokumenteve të falsifikuara, transmeton Zeri.info.

Hetimet e zhvilluara nga njësitë policore kanë çuar në identifikimin dhe arrestimin e një të dyshuari, shtetas kosovar, i cili dyshohet se ka përdorur një letërnjoftim të falsifikuar të shtetit të Serbisë. Dokumenti mbante fotografinë e tij, ndërsa përmbante të dhënat e viktimës.

I dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar në prani të prokurorit kompetent. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet po vazhdojnë me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit dhe identifikimit të të gjithë të përfshirëve potencialë.

“Është raportuar se prona e viktimës mashkull kosovar dyshohet se nga person/a të panjohur me anë të dokumenteve të falsifikuara u është bartur personave të tretë pa pëlqimin dhe dijeninë e tij. Gjatë hetimeve të zhvilluara është identifikuar dhe është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, i cili dyshohet ka përdorur një letërnjoftim të falsifikuar të shtetit të Serbisë me fotografinë e tij, duke futur të dhënat e palës ankuese. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë. /Zëri