Arrestohen dy të dyshuar për vrasjen e biznesmenit në Elbasan

Arrestohen dy të dyshuar për vrasjen e biznesmenit në Elbasan

Kronika December 02, 2025 - 11:07

Dy persona janë arrestuar, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim, si persona që dyshohet se kanë lidhje me atentatin ndaj biznesmenit Edmond Hyka mbrëmjen e 30 nëntorit.

Siç raporton RTSH-ja, dy personat e arrestuar, konkretisht ish-ortaku në biznes i Hykës dhe roja i karburantit, janë kapur në qytetin e Lezhës dhe Durrësit, pas identifikimit të tyre prej kamerave të sigurisë.

Menjëherë sapo kanë mbërritur në komisariat, të dyshuarit janë pyetur me imtësi lidhur me funksionin e tyre në atentatin ndaj biznesmenit Hyka.

Ky i fundit sapo kishte dalë nga zyra e karburantit të tij dhe ishte futur në automjetin tip Range Rover në momentin që një makinë tip Audi e zezë i është afruar duke e qëlluar brenda mjetit. Dy plumbat e marrë në kokë, rezultuan fatale për 43-vjeçarin Hyka. Ndërkohë autorët fill pas atentatit u larguan në drejtim të Librazhdit, ndërsa ende nuk bëhet me dije identiteti i tyre.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, i cili po punon intensivisht për këqyrjen e pamjeve filmike të zonës dhe mbledhjen e provave të tjera materiale.

Hetimet vijojnë në disa pista paralelisht, ndërsa operacioni policor në terren mbetet në zhvillim. Autorët e atentatit mbeten ende të paidentifikuar.