S’mund të shfaqen pamjet në ditën kur ndodhi vrasja e Liridona Ademajt, shtyhet seanca për 12 dhjetor
Foto: Laura Hasani

S’mund të shfaqen pamjet në ditën kur ndodhi vrasja e Liridona Ademajt, shtyhet seanca për 12 dhjetor

Kronika November 24, 2025 - 14:04

Ka dështuar për herë të dytë shfaqja e provave me video, që ishte paraparë të bëhej në seancën e së hënës, në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, ku të akuzuar për përfshirje në vrasje janë Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, për shkak të problemeve teknike.

Sipas trupit gjykues, për shkak të materialeve të shumta nuk ka qenë e mundur të transmetohen videot para trupit gjykues sipas rendit të përgatitur nga Prokuroria, duke bërë që seanca të ndërpritet sërish.

Gjykimi pritet të vazhdojë në një datë tjetër të caktuar nga gjykata.

Kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dërmaku, pyeti nëse janë të gatshëm të barten sekuencat.

“Trupi gjykues e sheh të arsyeshme t’ju jap kohën e nevojshme juve që t’i bartni sekuencat, përndryshe në këtë formë nuk ka mundësi, kështu se foldera ka shumë. Nëse je e gatshme, nëse jo shkojmë me datën 12”, tha ajo.

Prokurorja Javorka Prelincevic ka treguar se kanë kontaktuar zyrtarin e IT për të ndarë videoincizimet, por nuk kanë qenë të qasshëm.

“Në pauza para dite dhe masdite unë kam provuar të kontaktoj me zyrtarin e IT, profesionistin nga prokuroria që të mund t’i ndajmë video incizimet, mirëpo pasi që ka qenë pauza nuk kanë qenë të qasshëm të disponueshëm, ashtu që do të ishte më së miri, pasi që folderi ka të bëjë për video incizimet, pamjet e para shtëpisë së Naim Murselit është një fail i madh videove 700 deri 800 GB. Do të ishte mirë që kjo seancë të caktohet për një ditë tjetër, apo edhe prokurori do të mundohet t’i ndajë sekuencat që janë me rëndësi, t’i bart me një CD. Ne si prokurori në hard diskun i kemi bartur të gjitha përmbajtjet pa ndarë asgjë, dhe nuk kemi ndërprerë dhe nuk kemi shlyer asnjë sekuencë për arsye që mund të kemi keqkuptim dhe kundërshtime nga ana e mbrojtjes. Mos të bie që prokuroria dëshiron të fshehë diçka… Lëvizjet e Naim Murselit ditën kritike, si dhe disa veprime dhe ndërlidhje ditën e nesërme, ashtu që prokurori mbas kësaj do të mundohet t’i ndajë sekuencat të cilën e kemi propozuar për seancën e radhës”, tha ajo.

Pas diskutimeve, trupi gjykues ka marrë vendim që seanca të vazhdojë më 12 dhjetor.

“Në këto rrethana trupi gjykues merr aktvendim, aprovohet propozimi i prokurorit të Shtetit, seanca e sotit ndërpritet dhe e radhës do të jetë më 12.12.2025, sipas agjendës së paracaktuar”, u tha nga trupi gjykues.