“Asnjëherë nuk ka pasur neglizhenca”, Zharku dëshmon në rastin e 53 milionëve

“Asnjëherë nuk ka pasur neglizhenca”, Zharku dëshmon në rastin e 53 milionëve

Kronika November 17, 2025 - 11:19

Në rigjykimin për rastin “53-milionëshi”, në Gjykatën Themelore në Prishtinë është dëgjuar dëshmia e ish-ministrit të Infrastrukturës, Lutfi Zharku, i cili ka sqaruar rolin e komitetit ndërministror, kompanisë mbikëqyrëse dhe procedurat e ndjekura në projektin e autostradës “Arbën Xhaferi”.

Ai deklaroi se asnjë institucion nuk ka të drejtë të tejkalojë opinionin e kompanisë mbikëqyrëse.

Dëshmia e Zharkut u mor në seancën e radhës ndaj të akuzuarve Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, të cilët po rigjykohen për keqpërdorim detyre në lidhje me ndarjen e 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel & Enka”.

Zharku tha se vendimet në këtë projekt janë marrë duke u bazuar në kornizën institucionale dhe rolin e komitetit përkatës.

“E kemi pasur vendimin e qeverisë, në të cilin është themeluar komiteti drejtues ndërministror”, deklaroi ai.

Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, e pyeti atë për rolin e kompanisë mbikëqyrëse në projekt.

Zharku tha se “Ka qenë menaxher i projektit që nënkupton këshilltar financiar, operativ dhe ligjor”.

Gjyqtarja e pyeti tutje nëse në këtë rast ishte tejkaluar opinioni mbikëqyrës, duke iu referuar nënshkrimit të marrëveshjes mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe operatorit ekonomik “Bechtel & Enka” më 27.9.2017. Ajo pyeti nëse kishte qenë e mundur të shmangej mendimi i kompanisë mbikëqyrëse.

Zharku u përgjigj se as kush nuk ka të drejtë ta tejkalojë kompaninë mbikëqyrëse.

“Në aspektin e një menaxheri nuk ishte dashur, as komiteti ndërministror as kush nuk ka të drejtë ta tejkalojë kompaninë mbikëqyrëse”, tha ai.

Ai shtoi se mbikëqyrësi nuk kishte pasur asnjë neglizhencë gjatë punimeve.

“Kurrë asnjëherë nuk ka pasur neglizhenca, ai ka punu aq sa ka pasur buxhet të ndarë, nuk ka as një rast”, tha ai.

Namani-Hajra e pyeti edhe për pretendimet se, sipas aktakuzës, i akuzuari Pal Lekaj kishte zhvilluar negociata për të zvogëluar koston, duke anashkaluar mendimin mbikëqyrës.

“Na e kemi pas kërkesën e ‘Bechtel Enka’-s për 25, ose 26 milionë dhe të njëjtën kërkesë e kemi drejtuar drejt kompanisë mbikëqyrëse”, u përgjigj Zharku.

Në pyetjen se a ka mundur komiteti të anashkalojë kompaninë mbikëqyrëse, Zharku u përgjigj qartë: “Nuk ka të drejtë me i tejkalu”.

Prokurori i rastit, Atdhe Dema, kërkoi sqarime për shumën prej 14 milionë e 900 mijë euro, për të cilën Zharku tha kompania mbikëqyrëse “Hill International” e ka bërë një vlerësim të tillë të bazuara në kontratë.

“‘Hill International’ e ka bërë një vlerësim të tillë të bazuara në kontratë. Ka qenë e përcaktuar se nëse zgjatet kontrata duhet mu pagu 1 milion euro në muaj… I vetmi autoritet për të bërë një vlerësim të tillë është kompania mbikëqyrëse”, tha ai.

Avokati i të pandehurit Lekaj, Artan Çerkini, pyeti se ndarjet e pa mjaftueshme buxhetore a kamë qenë arsyeja në zgjatjen e punimeve.

Zharku tha se: “Ndarjet e pamjaftueshme buxhetore janë arsyeja e shtyrjeve të punimeve”.

I pyetur për kontraktimin e kompanisë mbikëqyrëse, Zharku deklaroi: “Është lidh pra meje… Në kontrata të mëdha kur janë dy palë që kanë ekspertiza jo të barabarta… duhet të jetë një palë e tretë mbikëqyrëse”.

Avokati ka pyetur se a ka qenë kontrata që deri sa të përfundoj projekti, pa e parashikuar vazhdimin e punimeve.

Zharku tha se kontrata kishte qenë e vlefshme deri në përfundimin e projektit.

“Natyrisht, kontrata ka qenë e lidhur deri sa përfundon projekti”, tha ai. /EO

Image