Qarkullonte me armë në brez, Policia publikon pamje nga arrestimi i 53-vjeçarit
Policia e Shtetit ka arrestuar 53-vjeçarin në Durrës pasi qarkullonte me automjet dhe i armatosur me armë zjarri, të cilën e mbante në brez.
Në njoftimin e Policisë bëhet e ditur se është sekuestruar arma e zjarrit, municioni luftarak dhe automjeti me të cilin qarkullonte.
“Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme kundër armëmbajtësve pa leje, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas qarkullonte me automjet, i armatosur me armë zjarri, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Brezi”.
Në kuadër të operacionit, në lagjen nr. 6, në rrugën ‘Hysen Myshketa’, është konstatuar nga shërbimet e Policisë dhe është ndaluar për kontroll automjeti që dyshohej se drejtohej nga shtetasi i armatosur me armë zjarri”, thuhet në njoftim.
Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën në brez shtetasit I. D., një armë zjarri, pistoletë Glock, me municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit I. D., 53 vjeç, banues në Sukth, Durrës, dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, për veprën penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit".